Pamje: Putini e shëtit Modin me një automjet modest nëpër rezidencë, e çon te kuajt
Presidenti rus, Vladimir Putin, e priti të hënën për vizitë kryeministrin e Indisë, Narenda Modi. Anash protokollit zyrtar e bisedimeve serioze, gjatë takimit të dy udhëheqësve pati edhe skena më joformale – dhënia e ushqimit kuajve, për shembull.
Kreu i Kremlinit dhe kryeministri indian u panë duke u shëtitur me një automjet të vogël pa dyer nëpër hapësirën e rezidencës “Novo-Ogaryovo” e pasta duke ushqyer kuaj, sipas pamjeve të publikuara nga Kremlini, raporton agjencia “Associated Press”.
Modi shkoi në Moskë për një vizitë dyditore, e para e tij që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Për herë të fundit, kryeministri indian ishte në Rusi më 2019, kur kishte marrë pjesë në një forum në qytetin lindor rus, Vladivostok, dhe ishte takuar me Putinin.
Kryeministri indian publikoi fotografi të mbërritjes së tij në Moskë në rrjetin social X, duke shkruar në gjuhët ruse e angleze e duke thënë se “pret që të thellohet më tej Partneriteti i Veçantë dhe i Privilegjuar Strategjik mes dy vendeve tona”.
“Popujt tanë do të përfitojnë shumë nga lidhjet më të forta mes dy vendeve tona” – shtoi Modi, duke publikuar një fotografi të përqafimit mes tij e Putinit.
Gratitude to President Putin for hosting me at Novo-Ogaryovo this evening. Looking forward to our talks tomorrow as well, which will surely go a long way in further cementing the bonds of friendship between India and Russia. pic.twitter.com/eDdgDr0USZ
— Narendra Modi (@narendramodi) July 8, 2024
Rusia ka lidhje të forta me Indinë që nga Lufta e Ftohtë dhe rëndësia e New Delhi-t si partner tregtar kyç është shtuar që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Kina dhe India janë bërë blerëse kyçe të naftës ruse pas sanksioneve të vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, duke i mbyllur shumicën e tregjeve perëndimore për eksportet ruse. India tani siguron më shumë se 40 për qind të importit të derivateve nga Rusia, sipas analistëve.
Nën pushtetin e Modit, India e ka shmangur dënimin e veprimeve ushtarake ruse në Ukrainë, edhe pse e ka theksuar nevojën për një zgjidhje paqësore.
Bashkëpunimi mes Rusisë e Indisë, megjithatë, është tensionuar, për shkak të afrimit të Moskës me Pekinin. Modi nuk mori pjesë javën e kaluar në samitin e Organizatës së Shangait për Bashkëpunim, që u mbajt në Kazakistan. Kjo organizatë është themeluar nga Rusia dhe Kina./Nacionale