Pamje: Pas anijeve, Ukraina përdori dron ujor për ta sulmuar edhe urën e Krimesë
Shërbimet ukrainase të sigurisë i kanë ofruar televizionit CNN pamje ekskluzive të momentit në korrik, kur u përdor një dron eksperimental ujor për të sulmuar një urë të rëndësishme ruse në Krimenë e aneksuar, duke paralajmëruar se sulme të tilla do të ketë edhe në të ardhmen.
Kjo është hera e parë që shërbimi ukrainas i sigurisë, SBU, e ka marrë haptazi përgjegjësinë për sulmin, raporton televizioni CNN.
Sulmi i 17 korrikut shkaktoi dëm në rrugën mbi orë dhe, sipas zyrtarëve rusë, la të vrarë dy civilë. Ky ishte sulmi i dytë ndaj urës së rëndësishme dhe tregoi se sa vështirë është që të mbrohet lidhja e vetme e pavarur ruse me gadishullin e aneksuar.
Drejtori i SBU-së, Vasyl Maliuk, i tha televizionit CNN se droni i quajtur “Foshnja e Detit”, që u përdor në këtë rast, ishte rezultat i zhvillimit disamujor që kishte nisur menjëherë pas fillimit të pushtimit rus. “Dronët e sipërfaqes së detit janë shpikje unike e Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës. Asnjë kompani private nuk është e përfshirë. Përmes përdorimit të këtyre dronëve, ne rishtazi kryem një goditje të suksesshme ndaj urës së Krimesë, anijes së madhe sulmuese “Olengorskiy Gornyak” dhe anijes transportuese SIG”- tha ai.
Në pamjet e ofruara për televizionit CNN shihen momentet para se droni i ngarkuar me rreth 850 kilogramë lëndë shpërthyese i afrohet një shtylle të urës. Televizionit i janë ofruar edhe pamjet e ndikimit të shpërthimit në pjesën e rrugës mbi urë, pastaj të një shpërthimi tjetër të dronit që e godet pjesën e hekurudhës rreth pesë minuta më vonë nga drejtimi i kundërt.
“Jemi duke punuar në një numër të operacioneve të reja interesante, përfshirë ato në ujërat e Detit të Zi. Ju premtoj, do të jetë tërheqëse, sidomos për armiqtë tanë”- tha zyrtari i lartë ukrainas.
Maliuku e mori përgjegjësinë edhe për sulmin e parë ukrainas ndaj urës së Krimesë më 8 tetor të vitit të kaluar, por refuzoi që të jepte hollësi.
Sipas tij, sulmi me dron në korrik ishte rezultat i përgatitjeve disamujore dhe se ky ishte një operacion i përbashkët me forcat detare ukrainase, të cilat ai i drejtoi së bashku me admiralin Oleksiy Neizhpapa.
“Në fazën e fundit të përgatitjes, ne nuk mund të mendonim as për gjumë apo ushqim. Ishim plotësisht të përqendruar në operacion. Ditët e fundit ishin goxha me nerva. Kur shpërthimi ndodhi, ishim shumë të gëzuar dhe filluam që ta uronim njëri-tjetrin. Ky ishte një moment shumë emocionues për të gjithë ne dhe për fitoren tonë, e cila përfundimisht do të vijë së shpejti”- tha zyrtari ukrainas.
