Pamje: Musku e prezanton taksin robot me dy dyer – fëmijët bëjnë detyra në ekran
Miliarderi amerikan dhe pronari i prodhuesit të veturave elektrike “Tesla”, Elon Musk, të enjten e prezantoi taksin robot me dy dyer që hapen së larti. Ai gjithashtu prezantoi një kombibus robot.
Musku erdhi në skenën e prezantimit brenda automjetit që “Tesla” e quan “Cybercab”, për të cilin tha se do të hynte në prodhim më 2026 dhe do të kushtojë më pak se 30 mijë dollarë, raporton agjencia “Reuters”.
Ai bëri të ditur se automjeti mbështetet në inteligjencë artificiale dhe kamera dhe nuk ka nevojë për pajisje të tjera që përdoren nga rivalët që prodhojnë taksi robotë.
“E ardhmja autonome është këtu. Ne kemi 50 vetura plotësisht autonome këtu sonte. Ju do t’i shihni modelet Ys dhe Cybercab. Të gjitha pa vozitës” – shtoi Musku.
Në mesin e pjesëmarrësve në prezantim kishte investitorë, analistë të aksioneve dhe tifozë të “Tesla”-s.
Musku në vitin 2019 kishte thënë se kishte “shumë besim” që kompania do të kishte taksi robotë vitin e ardhshëm.
“Tesla” është në rrezik që ta përjetojë rënien e parë ndonjëherë të dërgesave këtë vit, pasi masat nxitëse për blerje kanë dështuar që të tërheqin klientë të mjaftueshëm për linjën e automjeteve elektrike që po vjetrohet.