Pamje: Luftanija kineze përplaset me anijen e Rojës Bregdetare të Kinës gjatë ndjekjes së një barke filipinase
Filipinet kanë publikuar pamje dramatike, në të cilat shihet një luftanije kineze duke u përplasur me një anije të Rojës Bregdetare të Kinës gjatë ndjekjes së një barke patrulluese të Filipineve në Detin Jugor të Kinës.
Incidenti ndodhi afër cekëtinës së kontestuar Scarborough të hënën, përderisa Roja Bregdetare e Filipineve po shoqëronte barka që po u dërgonin ndihma peshkatarëve në atë zonë, thanë autoritetet filipinase, shkruan gazeta “The Guardian”.
“Veprimet e tyre [anijeve kineze] nuk paraqitën rrezik vetëm për barkat dhe personelin filipinas, por gjithashtu rezultuan në përplasjen fatkeqe mes dy anijeve kineze” – tha të martën Ministria e Jashtme e Filipineve, duke e akuzuar ekuipazhin kinez për “manovrime të rrezikshme dhe ndërhyrje të paligjshme” në misionin e rifurnizimit.
Në pamje shihet një anije e Rojës Bregdetare të Kinës dhe një anije tjetër shumë më e madhe me numrin 164 në trup duke u përplasur me një zhurmë të madhe pas anijes filipinase.
⚡ Two Chinese ships collides with each other while chasing Philippines patrol boat 😅:
— OSINT Updates (@OsintUpdates) August 11, 2025
China coast guard patrol cutter CCG 3104 collided with People's Liberation Army Navy Destroyer while chasing Philippines Coast Guard vessel BRP Suluan at Bajo de Masinloc.
The incident… pic.twitter.com/aGBwOKMzsy
Në fotografi të publikuara më vonë shihet anija me pjesën e përparme shumë të dëmtuar nga përplasja.
Zëdhënësi i Rojës Bregdetare të Filipineve, Jay Tarriela, në një deklaratë tha se më herët gjatë ballafaqimit, anija “BRP Suluan” u “shënjestrua me top uji” nga kinezët, por “me sukses” iu shmang atij.
Tarriela tha më tej se ekuipazhi kinez në anijen e dëmtuar nga përplasja nuk iu përgjigj ofertës së Filipineve për asistencë.
Gan Yu, zëdhënës i Rojës Bregdetare të Kinës, konfirmoi se kishte ndodhur një ballafaqim, por nuk e përmendi përplasjen mes dy anijeve kineze. “Roja Bregdetare kineze i ndërmori masat e nevojshme në përputhje me ligjin, përfshirë vëzhgimin, shtyrjen nga jashtë, bllokimin dhe kontrollimin e barkave filipinase për t’i larguar ato” – tha ai në një deklaratë.
Kina as nuk e ka konfirmuar, as nuk e ka mohuar incidentin, duke thënë vetëm se ka marrë masa “ligjërisht” për t’i sprapsur barkat filipinase.