Pamje: Kolonët izraelitë rrahin një palestinez me shkopinj e shqelma, tre të arrestuar
Tre izraelitë u arrestuan, pasi disa kolonë plagosën tre palestinezë dhe ua vunë flakën disa veturave afër qytetit Nablus, në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të enjten, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze dhe forcave izraelite të sigurisë.
Megjithatë, nga pamjet e incidentit shihen të paktën 12 njerëz duke marrë pjesë në sulmin që ndodhi në fabrikën e bulmetit në fshatin Deir Sharaf dhe kryetari i qytezës Beit Lid tha se forcave izraelite të sigurisë iu deshën më shumë se një orë për t’i shpërndarë sulmuesit, shkruan gazeta “The Times of Israel”.
Në një deklaratë të përbashkët, ushtria dhe policia izraelite thanë se dy palestinezë janë shtrirë në spital në gjendje mesatare si rezultat i sulmit. Gjysmëhëna e Kuqe raportoi se tre burra të moshave 48, 50 dhe 65-vjeçare janë dërguar në spital pas rrahjes së rëndë.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve të Autoritetit Palestinez, “Wafa”, 65-vjeçari pësoi thyerje në dorë, ndërsa dy të tjerë mavijosje në trup.
Pamja nga kamera e sigurisë shfaq të paktën 12 persona të maskuar e të veshur me të zeza, duke hedhur gurë e duke sulmuar një burrë të ulur në gjunjë.
תיעוד נוסף וקשה מדיר שרף מוקדם יותר היום: הפורעים מכים - באלות, בידיים, ברגליים - פלסטיני על הרצפה. כאמור שלושה פלסטינים נפצעו באירוע בסך הכול pic.twitter.com/5jWnlz6cA1
— Nurit Yohanan (@nurityohanan) January 8, 2026
Burri mori goditje në shpinë e fytyrë nga të paktën katër prej personave që e goditën me shqelma dhe dy të tjerë që e sulmuan me shkopinj, derisa ai u rrëzua në tokë e sulmuesit ikën.
Ushtria dhe policia izraelite tha se arrestuan tre të dyshuar në hyrje të një vendbanimi tjetër aty afër, Shavei Shomron, pasi kishin pranuar një raport se disa “ekstremistë” në zonë ua kishin vënë zjarrin katër veturave dhe kishin sulmuar palestinezë, përfshirë një që ndodhej brenda njërës prej veturave./Nacionale