Pamje: Kaos në Parlamentin e Britanisë shkaku i miratimit të thirrjes për armëpushim në Gaza
Dhjetëra deputetë britanikë dolën nga Parlamenti i Mbretërisë së Bashkuar të mërkurën në shenjë proteste, pasi tri partitë më të mëdha politike po mundoheshin që ta mposhtnin njëra-tjetrën rreth një votimi për armëpushim në Gaza.
Përplasja erdhi pas vendimit të kryetarit që ta shpërfillte precedentin dhe të lejonte një votim që e ndihmoi Partinë Laburiste në opozitë që të shmangte një rebelim të madh në mesin e ligjvënësve të saj rreth pozicionit të partisë për luftën Izrael – Hamas, raporton agjencia “Reuters”.
Ligjvënësit e Partisë Konservatore në pushtet dhe ata të Partisë Kombëtare Skoceze në opozitë u larguan nga salla e debatit si shenjë proteste dhe disa madje u munduan që ta bënin hapin e rrallë të mbajtjes së procedurave në mënyrë private.
Kryetari i Parlamentit, Lindsay Hoyle, në fund kërkoi falje dhe tha se e kishte marrëve vendimin për t’ua lejuar deputetëve votimin për një varg pikëpamjesh, sepse ishte i brengosur për sigurinë e tyre, pasi disa ishin ballafaquar me kërcënime me dhunë për shkak të qëndrimit të tyre për luftën në Gaza.
“Kjo është për keqardhje dhe unë kërkoj falje për këtë vendim. Nuk doja që kjo të përfundonte kështu” – tha Hoyle.
Partia Laburiste, që pritet t’i fitojë zgjedhjet e përgjithshme këtë vit, është përfshirë në një betejë të brendshme rreth politikës së saj ndaj konfliktit në Lindje të Mesme që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, që çoi te hyrja e trupave izraelite në Gaza.
Debati në Parlament u thirr nga Partia Kombëtare Skoceze, e cila paraqiti një mocion me të cilin bëhet thirrje për armëpushim të menjëhershëm. Laburistët dhe konservatorët, të cilët e përkrahën Izraelin, por paraqitën shqetësim për veprimet e tij në Gaza, pastaj propozuar amendamente, me kushte të ndryshme për të cilat ata thanë se ishin të nevojshme para se të bëhet një pauzë në luftime.
Në një lëvizje të pazakontë, Hoyle i përzgjodhi të dyja amendamentet për votim, duke e shkelur precedentin ku një parti opozitare nuk mund ta ndryshojë mocionin e një partie tjetër. Zakonisht, vetëm amendamentet qeveritare përzgjidhen për votim.
Disa ligjvënës protestuan me zë ndaj kryetarit, kur ai e njoftoi vendimin. Një deputet e akuzoi kryetarin, ish-deputet i Partisë Laburiste, për shkaktim të një “krize kushtetuese”.
Shefja e grupit parlamentar të Qeverisë në dhomën e ulët të Parlamentit, Penny Mordaunt, tha se Hoyle e kishte minuar Parlamentin dhe se Qeveria do të tërhiqej nga procedura.
Vendimi i kryetarit Hoyle nënkuptoi që ligjvënësit laburistë mund të votonin për planin e partisë së tyre dhe ta shmangin kundërshtimin e udhëheqësisë përmes përkrahjes së mocionit të Partisë Kombëtare Skoceze.
Gjatë kaosit, amendamenti i Partisë Laburiste u miratua verbalisht, pa votim formal ku do të regjistroheshin pikëpamjet individuale të deputetëve. Disa deputetë bënë thirrje që votimi të zhvillohej përsëri, pasi qëndrimet e tyre nuk ishin pasqyruar.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli