Palestinezët thonë se 76 anëtarë të një familjeje në Gaza u vranë nga sulmi izraelit - NACIONALE

Palestinezët thonë se 76 anëtarë të një familjeje në Gaza u vranë nga sulmi izraelit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një sulm izraelit la të vrarë 76 anëtarë të një familjeje të gjerë në Gaza, thanë të shtunën zyrtarët e shpëtimit, një ditë pas paralajmërimit të ri të sekretarit të OKB-së se askund në Gaza nuk ka vende të sigurta dhe se ofensiva e vazhdueshme e Izraelit po krijon “pengesa masive” për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Sulmi i së premtes ndaj një ndërtese në qytetin Gaza ishte në mesin e më vdekjeprurësve në luftën Izrael – Hamas, që tash është në javën e 12-të, tha Mahmoud Bassal, zëdhënës i Mbrojtjes Civile në Gaza. Ai ofroi një listë të pjesshme të të vrarëve – 16 kryefamiljarë amvisërish nga familja al-Mughrabi – dhe tha se në mesin e të vdekurve ka gra e fëmijë.

Në mesin e të vdekurve janë edhe Issam al-Mughrabi, punëtor veteran i Programit për Zhvillim të OKB-së, bashkëshortja e tij dhe pesë fëmijët e tyre, raporton agjencia “Asssociated Press”.

“Humbja e Issamit dhe familjes së tij na ka prekur thellë të gjithë ne. OKB-ja dhe civilët në Gaza nuk janë shënjestër. Kjo luftë duhet të përfundojë”- tha Achim Steiner, drejtor i Programit për Zhvillim.

Ushtria izraelite tha të shtunën se kreu sulme ajrore kundër luftëtarëve të Hamasit në disa zona të qytetit Gaza. Forcat izraelite thonë se kanë vrarë mijëra militantë të Hamasit, përfshirë rreth dy mijë vetëm gjatë tri javëve të fundit, por nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi për ta mbështetur pretendimin. Ushtria thotë se 139 ushtarë i janë vrarë nga fillimi i ofensivës tokësore në Gaza.

Të premten, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një rezolutë me gjuhë të zbutur, me të cilën bëhet thirrje për përshpejtim të menjëhershëm të shpërndarjes së ndihmave për civilët e dëshpëruar të Gazës.

Shtetet e Bashkuara, në këmbim të mosbllokimit të rezolutës me veto, e siguruan heqjen e thirrjes për “pezullim urgjent të armiqësive” mes Izraelit e Hamasit. ShBA-ja abstenoi dhe njësoj veproi edhe Rusia, e cila e dëshiroi gjuhën më të ashpër të rezolutës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, e përsëriti thirrjen e tij të hershme për armëpushim humanitar. Ai shprehu shpresë se rezoluta e së premtes mund të ofrojë ndihmë që kjo të ndodhë, por shtoi se “shumë më shumë nevojitet menjëherë” për t’i dhënë fund “ankthit” për njerëzit në Gaza.

Lajme të ngjashme