Palestinezët të zemëruar pas operacionit të forcave izraelite në Jenin
Militantët palestinezë marshuan në një paradë në Jenin të mërkurën, përderisa turmat e zemëruara u ballafaquan me zyrtarë të lartë të Autoritetit Palestinez, duke i akuzuar ata për dobësi pas njërit prej operacioneve më të mëdha ushtarake të forcave izraelite në Bregun e pushtuar Perëndimor viteve të fundit.
Operacioni dyditor, për të cilin ushtria izraelite tha se i kishte në shënjestër depot e infrastrukturës dhe të armëve të grupeve militante në kampin e refugjatëve në Jenin, la një varg rrugësh të shkatërruara e veturash të djegura dhe nxiti zemërim në botën arabe, raporton agjencia “Reuters”.
Të paktën 12 palestinezë, shumica luftëtarë militantë të konfirmuar, u vranë dhe 100 u plagosën gjatë operacionit që filloi me sulme dronësh natën vonë, pasuar nga më shumë se një mijë trupa izraelite. Gjatë operacionit u vra edhe një ushtar izraelit.
“Qëndruam brenda shtëpisë, por pastaj na e ndalën rrymën e pasta ujin”- tha Mohammad Mansour, banor i kampit ku buldozerët e armatosur i gërryen rrugët për t’i nxjerrë minat, duke i prerë kabllot e rrymës dhe gypat e ujit. “Përfunduam pa bukë dhe furnizime, ishim të uritur, kurrë nuk kam kaluar nëpër ditë të tilla”- shtoi banori i kampit.
Në funeralin e dhjetë prej të vrarëve, tre udhëheqës të lartë të Autoritetit Palestinez – organi që qeveris disa pjesë të Bregut Perëndimor – u detyruan që të largoheshin, pasi u ballafaquan me një turmë prej mijëra njerëzish, përfshirë dhjetëra persona të armatosur, të cilët brohorisnin “Dilni jashtë! Dilni jashtë!”
Pas tërheqjes së forcave izraelite të martën në mbrëmje, udhëheqësit e Xhihadit Islamik dhe grupeve të tjera të armatosura e shpallën fitoren.
“Ata nuk e morën atë që e deshën, faleminderit Zotit. Të rinjtë janë mirë, familjet janë mirë, kampi është mirë”- tha Mutasem Estatia, baba i gjashtë fëmijëve.
Forcat izraelite ndaluan 150 militantë të dyshuar, konfiskuan armë dhe mina në rrugë dhe shkatërruan një qendër komande, sipas ushtrisë izraelite, e cila tha se të gjithë palestinezët e vrarë ishin luftëtarë të armatosur. Xhihadi Islamik tha se shtatë prej tyre ishin anëtarë të tij, ndërsa Hamasi tha se njëri prej tyre ishte anëtar i tij.
