Largohen forcat izraelite, qetësohet Jenini, nisin funeralet e palestinezëve
Forcat izraelite janë tërhequr nga qyteti Jenin i Bregut Perëndimor, ku tashmë nuk ka më të shtëna armësh, ndërsa palestinezët i kanë filluar ceremonitë mortore për 12 të vrarët gjatë aksionit dyditor.
Dymbëdhjetë palestinezë dhe një ushtar izraelit janë vrarë nga e hëna, kur filloi operacioni i forcave izraelite në kampin e refugjatëve në Jenin, raporton televizioni BBC.
Turmat e njerëzve kanë filluar të formohen para spitalit, te hyrja e kampit, ku do të fillojnë marshet e funeraleve. Trupat e 12 palestinezëve të vrarë do të dërgohen në xhami për ceremoni fetare.
Në këtë pjesë të Bregut Perëndimor, ku rrugët zakonisht janë plot gjallëri, dyqanet janë ende mbyllur, raporton gazetari i BBC-së, Jeremy Bowen.
Reporterja Anna Foster thotë se në Jenin, toka është e mbushur me rrënoja e xhama të thyer, ndërsa njerëzit po i pastrojnë hapësirat pas dy ditëve të luftimeve intensive.
“Brengosem për kaër fëmijët e mi, sigurinë e tyre dhe gjendjen e tyre mendore. Ky vend është thjesht një masë shkatërrimi”- tha Mazen Abu Leil, njëri nga refugjatët që iku nga kampi i refugjatëve, kur filluan luftimet. Ai u kthye aty në mëngjesin e së mërkurës.
“Militantët janë njerëz të thjeshtë, si unë, mediat i bënë që të duken të fortë e të fuqishëm. Besoj se forcat izraelite do të kthehen këtu dhe do ta bëjnë këtë përsëri”- shtoi ai.
