Vazhdojnë përleshjet e armatosura, fillon tërheqja e forcave izraelite nga Jenini
Izraeli thotë se ka kryer sulme ajrore në Rripin e Gazës pas një sulmi me raketa gjatë natës nga enklava palestineze drejt pjesës jugore të Izraelit.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thonë se aeroplanët e tyre luftarakë “goditën një objekt nëntokësor për prodhim të armëve” që përdorej nga Hamasi, grupi militant që e udhëheq Gazën, raporton televizioni BBC.
“Një objekt për prodhimin e lëndës së parë për raketa, që i përkiste Hamasit” gjithashtu është goditur, sipas ushtrisë izraelite.
Hamasi nuk i ka komentuar sulmet ajrore të Izraelit.
Agjencia “Reuters”, raportoi se një shpërthim i madh u pa në qiellin e Gazës në orët e hershme të së mërkurës.
Sulmet ajrore izraelite ishin kundërpërgjigje ndaj pesë raketave që ishin hedhur nga militantët e Gazës më herët gjatë natës. Ushtria izraelite tha se të gjitha raketat janë penguar.
Sirenat e alarmit u aktivizuan në qytetin jugor izraelit, Sderot, dhe në qytezat afër tij, ndërsa mediat lokale thonë se një shtëpi është dëmtuar nga mbetjet e një rakete të sistemit kundërajror izraelit, “Iron Dome”.
Nuk është raportuar për ndonjë të lënduar dhe asnjëri grup deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për hedhjen e raketave.
Forcat izraelite kanë njoftuar se po fillonin që të tërhiqeshin nga kampi i refugjatëve në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor pas një operacioni të gjerë dyditor atje.
Përderisa tërheqja ishte duke u zhvilluar, zyrtarët shëndetësorë raportuan se një burrë palestinez është vrarë nga forcat izraelite – rasti i dymbëdhjetë fatal palestinez në këtë qytet nga e hëna.
Në anën tjetër, ushtria izraelite tha se një oficer izraelit në shërbim luftarak është vrarë nga të shtënat në kampin e refugjatëve.
