Pakistani e Afganistani pajtohen në Stamboll që ta vazhdojnë armëpushimin - NACIONALE

Pakistani e Afganistani pajtohen në Stamboll që ta vazhdojnë armëpushimin

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Pakistani dhe Afganistani u pajtuan që ta zgjasin afatin e armëpushimit gjatë bisedimeve të mbajtura në Stamboll pas përleshjeve më të rënda kufitare mes dy vendeve fqinje në disa vjet, sipas Turqisë, që ndërmjetësoi në bisedime bashkë me Katarin.

Armëpushimi mes Afganistanit dhe Pakistanit nisi më 19 tetor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. Dy vendet u ballafaquan me konfrontimet më serioze ushtarake që nga rikthimi i talibanëve në pushtet më 2021. Përleshjet vdekjeprurëse këtë muaj e nxitën Pakistanin që të kryente sulme ajrore, zjarr hakmarrës nga Afganistani dhe mbyllje të pikëkalimeve kyçe që përdoren për tregti dhe trtansit.

“Të gjitha palët janë pajtuar që të themelojnë një mekanizëm të vëzhgimit dhe monitorimit që do ta garantojë mbajtjen e paqes dhe vendosjen e ndëshkimeve ndaj palës që bën shkelje” – tha Ministria e Jashtme e Turqisë për bisedimet që filluan më 25 e mbaruan më 30 tetor.

Kjo ministri shtoi se një takim tjetër do të mbahej në Stamboll më 6 nëntor për të vendosur se si do të zbatohet mekanizmi dhe se Turqia e Katari “qëndrojnë të gatshme për ta vazhduar bashkëpunimin me të dyja palët për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm”.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, lëshoi një deklaratë pak para mesnatës në Stamboll duke e konfirmuar përfundimin e bisedimeve dhe duke thënë se të dyja palët ishin pajtuar për vazhdimin e diskutimeve në takimet e ardhshme.

Sipas tij, Afganistani synon marrëdhënie të mira me Pakistanin “të mbështetura në respektin dhe mosndërhyrjen e ndërsjellë”./Nacionale

Lajme të ngjashme