Pa Rusinë e Kinën, liderët botëror do të takohen për të folur rreth fundit të luftës në Ukrainë
Mediumi i njohur britanik “The Guardian” raporton se më shumë se 100 liderë, duke përfshirë nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris, dhe krerët e BE-së, vendeve të Amerikës së Jugut, Lindjes së Mesme dhe Azisë, do të mblidhen në Zvicër të shtunën për një nga përpjekjet më ambicioze për të krijuar një plan të paqes për Ukrainën.
Samiti vjen, ndërsa liderët e G7-ës, që mblidhen në Itali, arrijnë një marrëveshje të re për një hua prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, e garantuar përmes përdorimit të fitimeve të papritura nga interesi mbi asetet e bankës qendrore ruse të ngrira nga BE-ja dhe vendet e tjera perëndimore pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Konferenca dyditore e paqes, e cila do të zhvillohet në resortin luksoz Bürgenstock jashtë Lucernit, do të diskutojë planin e propozuar prej 10 pikash të Kievit për t'i dhënë fund luftës së bashku me tre tema të tjera: kërcënimin bërthamor, sigurinë ushqimore dhe nevojat humanitare në Ukrainë.
Në këtë konferencë mungojnë dy shtete të mëdha, Rusia, e cila e sulmoi ushtarakisht Ukrainën, dhe Kina, një përkrahëse e zellshme e shtetit rus.
Sjellim ndër mend që dje presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka propozuar planin e tij për përfundimin e luftës në Ukrainë.