Orbani thotë se NATO-ja po i afrohet luftës çdo javë - NACIONALE

Orbani thotë se NATO-ja po i afrohet luftës çdo javë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Planet e NATO-s për t’u përfshirë më shumë në luftën e Ukrainës janë si një zjarrfikës që mundohet të shuajë një zjarr me flakëhedhëse, tha të premten kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Politikani që ka mbajtur marrëdhënie të mira me Moskën është përplasur me vendet perëndimore rreth mbështetjes së Ukrainës që nga fillimi i pushtimit rus para më shumë se dy vjetëve, raporton agjencia “Reuters”.

NATO-ja “po i afrohet luftës” çdo javë, tha Orbani, përderisa ministrat e jashtëm të aleancës po takoheshin në Pragë për të diskutuar rreth ndihmave ushtarake për Ukrainën.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha të enjten se “ka ardhur koha” që anëtarët e aleancës t’i rishqyrtojnë disa prej kufizimeve që ia kanë vendosur përdorimit të armëve që ia kanë dhuruar Ukrainës.

Përderisa udhëheqësit ukrainas u bënë thirrje aleatëve që t’i lehtësonin kufizimet, shtetet perëndimore dukej se ishin gjithnjë më të përçara javëve të fundit nëse Ukrainës duhet apo nuk duhet t’i lejohen sulmet në territorin e Rusisë.

Kryediplomati hungarez tha më herët këtë muaj se vendi i tij, anëtar i NATO-s, nuk do të marrë pjesë në planin afatgjatë të aleancës për ta ndihmuar Ukrainën, të cilin Budapesti e quajti “mision i çmendur”.

Orbani tha të premten se bisedimet për dërgimin e trajnuesve ushtarakë francezë në Ukrainë dhe që ushtrisë ukrainase t’i lejohet përdorimi i armëve perëndimore për të sulmuar caqe ruse janë ide “shqetësuese” dhe që e çojnë NATO-n më afër luftës.

Sipas kryeministrit hungarez, një mision i NATO-s në Ukrainë do të paraqiste rrezik për luftë botërore në vend të mbrojtjes së shteteve anëtare të aleancës.

“Është absurde që NATO-ja, në vend se të na mbrojë ne, po na tërheq ne, shtet anëtar, në një luftë botërore. Kjo është aq absurde sa një zjarrfikës që vendos të vijë për të shuar një zjarr me një flakahedhëse” – tha Orbani në radion shtetërore.

Lajme të ngjashme