Orbani thotë se Hungaria do ta thërrasë në takim ambasadorin e Ukrainës
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha të hënën se vendi i tij do ta thërrasë në takim ambasadorin e Ukrainës në Budapest për ato që ai i përshkroi si përpjekje për ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare hungareze që pritet të mbahen më 12 prill.
Orbani e ka intensifikuar fushatën e tij kundër Ukrainës në javët e fundit dhe është munduar që ta lidhë udhëheqësin opozitar hungarez, Peter Magyar, me Kievin dhe me ekzekutivin e Bashkimit Evropian në Bruksel, në kohën kur fushata po nxehet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Përderisa ekonomia hungareze po stagnon, partia Fidesz e Orbanit po del e dyta, pas partisë opozitare Tisza, në shumicën e sondazheve.
Në një fushatë që në shënjestër i ka kryesisht votuesit ruralë, Orbani e ka portretizuar Ukrainën si vend që nuk meriton mbështetje financiare, duke i paraqitur zgjedhjet e prillit si zgjedhje mes luftë dhe paqes dhe duke u ngarë fushatave të tij në të kaluarën kundër imigrantëve.
Orbani, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Moskën, në mënyrë të përsëritur ka refuzuar që t’i mbështesë ndihmat e Bashkimit Evropian për Ukrainën dhe ka nisur një “peticion kombëtar”, duke kërkuar nga votuesit që ta nënshkruajnë atë për të thënë se nuk duan të paguajnë për ta mbështetur luftën.
“Javën e kaluar, udhëheqësit ukrainas dhe madje vetë presidenti bënë deklarata të rënda fyese e kërcënuese kundër Hungarisë... Shërbimet tona të sigurisë kombëtare... kanë konkluduar se është një përpjekje e bashkërenduar për të ndërhyrë në zgjedhjet hungareze” – tha Orbani në një video.
Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk dha menjëherë përgjigje ndaj një kërkese për koment.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të enjten e kaluar e kritikoi Evropën, duke thënë se kontinenti po bëhet “kaleidoskop i fragmentuar i fuqive të vogla dhe të mesme” që u mungon guximi për të vepruar në mënyrë vendimtare. Ai gjithashtu tha se Evropa nuk duhet të lejojë që kryeqytetet e saj të bëhen “Moska të vogla”./Nacionale