Ora zvicerane e perandorit të fundit kinez pritet të shitet për mbi 3 milionë dollarë - NACIONALE

Ora zvicerane e perandorit të fundit kinez pritet të shitet për mbi 3 milionë dollarë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një orë e vjetër zvicerane, dikur pronë e perandorit të fundit kinez, Aisin-Gioro Puyi, pritet të shitet për më shumë se tre milionë dollarë, kur të dalë në shitje në Hong Kong këtë muaj.

Vlerësimi i lartë për këtë objekt është pjesërisht për shkak të rrallësisë së orës “Patek Philippe Reference 96 Quantieme Lune”. Vetëm tetë të tilla dihet se ekzistojnë në botë, raporton televizioni CNN.

Megjithatë, sipas shtëpisë së ankandeve “Phillips”, e cila do të merret me shitjen e orës, vlerësimi me çmim të lartë është për shkak të historisë së jashtëzakonshme të objektit të prodhuar para 86 viteve. Ora ishte në Siberi gjatë burgosjes 5-vjeçare të ish-udhëheqësit në ish-Bashkimin Sovjetik.

Ora e prodhuar nga platini ka numra arabë, akreba me ar ngjyrë rozë dhe treguesin për fazat e hënës. Disa pjesë të mekanizmit të brendshëm të saj datojnë që nga viti 1929, edhe pse modeli nuk shitej nga prodhuesi i njohur zviceran, “Patek Philippe”, deri më 1937.

Nuk dihet se si Puyi-u e kishte siguruar orën, edhe pse të dhënat tregojnë se ajo fillimisht ishte shitur përmes një dyqani luksoz në Paris. Sipas shtëpisë së ankandeve “Phillips”, dokumentet historike dëshmojnë se ish-perandori e kishte marrë orën me vete në kampin sovjetik të të burgosurve në Khabarovsk. Më vonë ia dha dhuratë Georgy Permyakov-it, folës i rrjedhshëm i gjuhës kineze, i cili kishte shërbyer si mësues privat i tij dhe përkthyes i rusishtes gjatë kohës në burg.

Sipas një deklarate për shtyp, shtëpia e ankandeve “Phillips” ka bërë tre vjet hulumtime duke kërkuar të dhëna për historinë e objektit dhe për ta vërtetuar prejardhjen e saj.

Lajme të ngjashme