Oligarkët: Putini na mashtroi të gjithëve, dukej sikur po mbështesnim luftën e tij
Oligarkët rusë të sanksionuar nga Perëndimi tani thonë se janë mashtruar nga Vladimir Putin duke u dukur se mbështesin pushtimin e tij në Ukrainë, raporton The New York Times.
Shumë nga këshilltarët kryesorë të Putinit nuk e dinin shtrirjen e plotë të planeve të tij për të pushtuar Ukrainën derisa ai ishte tashmë në zhvillim e sipër, raporton The Times.
“Nëse të gjithë rreth jush ju thonë për 22 vjet se jeni një super-gjeni, atëherë filloni të besoni se jeni”, tha Oleg Tinkov, një ish-manjat bankar rus që iu kundërvu Putinit këtë vit. "Biznesmenët rusë, zyrtarët rusë, populli rus - ata e panë atë si një car. Ai thjesht u çmend".
“Ai na tregoi gjithçka para kamerave”
Por ndërsa "operacioni special ushtarak" zvarritej, disa oligarkë rusë shprehën dyshime dhe zhgënjim, veçanërisht pasi vendet perëndimore i sanksionuan ashpër për aleancën e tyre me Putinin.
Andrei Melnichenko, një miliarder në sektorin e qymyrit dhe plehrave, pati një takim të organizuar me Putinin më 24 shkurt, shkruan The Times. Ai iu bashkua një numri të manjatëve të tjerë të biznesit, të cilët ishin po aq të befasuar nga pushtimi i Putinit. Kur Putini më në fund hyri në dhomë, ai i tha turmës dhe kamerave pas tyre se nuk kishte zgjidhje tjetër.
“Qëllimi i tij ishte që të gjithë ne të ishim nën sanksionet e Perëndimit”
Melnychenko tha se pushtimi ishte "irracional" dhe një "tronditje", por dëmi ishte bërë tashmë. Një tjetër manjat biznesi që ishte në takim, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se të gjithë ishin mbledhur para kamerave në një shfaqje të padashur të mbështetjes për pushtimin e Putinit, edhe nëse nuk ishin dakord me të.
Qëllimi i "mashtrimit" të tij, tha një biznesmen anonim për The Times, ishte "ti denigronte konkretisht të gjithë atje" dhe "të sanksiononte të gjithë". /Nacionale/