OKB paralajmëron tërheqje nga Afganistani, shkak ndalimi i punës së grave në organizatë
Zyrtarët e OKB-së kanë thënë se organizata është e gatshme të tërhiqet nga Afganistani në muajin maj, nese nuk arrin t’i bindë talebanët që të lejojnë gratë të punojnë për organizatën.
Sipas kreut të Programit të Zhvillimit të OKB-së (UNDP), Achim Steiner, paralajmërimi vjen pasi zyrtarët e OKB-së kanë kaluar muaj të tërë duke negociuar me udhëheqësit e grupit me shpresën për t'i bindur ata të bëjnë përjashtime nga një dekret i vijës së ashpër këtë muaj që ndalon gratë vendase të punojnë për të.
Kjo lëvizje vjen përkundër vlerësimit se dy të tretat e popullsisë, ose 28 milionë njerëz vlerësohet se kanë nevojë për ndihmë humanitare në vitin 2023, dhe përkundër kërcënimeve për ulje të ndihmës nga qeveria amerikane dhe anëtarë të tjerë të G7-ës.
Sipas The Guardian, talebanët kanë refuzuar të ndryshojnë qëndrimin e tyre, të njoftuar në dhjetor me sa duket me urdhër të udhëheqësit të tyre, Hibatullah Akhundzada.
Dihet se gratë përbëjnë rreth një të tretën e punonjësve të stafit të agjencive të ndihmës të punësuar në vend dhe gjithashtu shihen si më të rrezikuara ndaj çdo reduktimi të ndihmës. Megjithatë, qe nga 12 prilli, 3,300 afganë të punësuar nga OKB - 2,700 burra dhe 600 gra - kanë qëndruar në shtëpi për shkak të dekretit të talebanëve.
“Është e drejtë të thuhet se aty ku jemi tani, i gjithë sistemi i Kombeve të Bashkuara duhet të bëjë një hap prapa dhe të rivlerësojë aftësinë e tij për të vepruar atje. Mendoj se nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta thënë atë përveç se zemërthyese. Dua të them, nëse do të imagjinoja që familja e OKB-së të mos jetë sot në Afganistan, unë kam para meje këto imazhe të miliona vajzave të reja, djemve të rinj, baballarëve, nënave, të cilët në thelb nuk do të kenë mjaft për të ngrënë,”- ka thënë Steiner.
Kujtojmë se pavarësisht premtimeve fillestare për një sundim më të moderuar sesa gjatë qëndrimit të tyre të mëparshëm në pushtet në vitet 1990, talebanët kanë imponuar një regjim të ashpër që kur morën pushtetin në vitin 2021, pas tërheqjes së forcave të ShBA-së dhe NATO-s pas dy dekadash lufte.
Aktualisht talebanët janë kthyer në disa nga praktikat e tyre më famëkeqe, duke përfshirë ekzekutimet publike dhe kufizimet me ndikim të gjerë mbi të drejtat dhe arsimimin e grave.
Tërheqja e mundshme vjen mes parashikimeve se largimi i OKB-së dhe agjencive të tjera mund të prekë më së shumti gratë dhe fëmijët.

