OKB: Mijëra fëmijë në qytetin e rrethuar al-Fashir të Sudanit në rrezik nga vdekja prej urisë
Mijëra fëmijë po ballafaqohen me rrezikun e menjëhershëm nga vdekja, përderisa niveli i kequshqyerjes është rritur shumë në qytetin e rrethuar al-Fashir, në rajonin Darfur të Sudanit, thanë të enjten katër agjenci të Kombeve të Bashkuara.
Më shumë se 250 mijë civilë, rreth gjysma prej tyre fëmijë, kanë mbetur pa qasje në ushqim dhe kujdes shëndetësor në këtë qytet gjatë një bllokade 16-muajshe, thanë agjencitë e OKB-së.
“Objektet shëndetësore kanë kolapsuar dhe mijëra fëmijë që vuajnë nga kequshqyerja e rëndë akute tani janë pa trajtim” – thuhet në deklaratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Qyteti al-Fashir, i kapluar nga uria, është bastioni i fundit në rajonin e madh perëndimor të Sudanit, përderisa po lufton kundër Forcave të Mbështetjes së Shpejtë në një luftë civile që nisi në prillin e vitit 2023.
Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), agjencia e refugjatëve UNHCR, organizata për fëmijë UNICEF dhe Programi Botëror i Ushqimit thanë se përfaqësuesit e tyre kanë parë shkatërrim të gjerë në Darfur dhe në pjesë të tjera të vendit gjatë vizitave të tyre.
Këto agjenci thanë gjithashtu se niveli i kequshqyerjes është duke u rritur shumë në mbarë shtetin e madh afrikan.
“Uria u konfirmua në pjesë të Sudanit vit vitin e kaluar dhe situata me urinë mbetet katastrofale. Fëmijët janë ndër më të goditurit” – thanë agjencitë e OKB-së.
Njerëzit që u kthyen në kryeqytet këtë vit, pasi ushtria e rimori nën kontroll Khartoum-in, gjetën lagje të shkatërruara.
Agjencitë e OKB-së thanë se, në përgjithësi, më shumë se 30 milionë njerëz, përfshirë gati 15 milionë fëmijë, kanë nevojë të madhe për ndihma.
Ato shtuan se deri më tani është financuar vetëm çereku i fondit prej 4,2 miliardë dollarësh, që janë kërkuar për Planin e Reagimit Humanitar të OKB-së për Sudanin për viti 2025./Nacionale