OKB-ja zhbllokon rezerva urgjente të ndihmave pas kufizimeve “brutale” nga donatorët
Kombet e Bashkuara kanë lëshuar 110 milionë dollar nga një fond emergjent për ta ndihmuar menaxhimin e krizave të neglizhuara përreth botës, përfshirë Sudanin, pasi donatërt si Shtetet e Bashkuara urdhëruan zvogëlim të ndjeshëm të kontributeve.
OKB-ja parashikon që nivelet e financimit, të cilat ishin duke u tkurrur shumë kohë para se presidenti amerikan, Donald Trump, në janar ta urdhëronte ngrirjen e ndihmave të jashtme, do të bien në nivel të ulët rekord këtë vit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Administrata e Trumpit njoftoi muajin e kaluar se do të anulonte gati 10 mijë grante e kontrata për ndihma të jashtme me vlerë të afro 60 miliardë dollarëve, duke i dhënë fund 90 për qind të punës globale të Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar, e njohur me shkurtesën USAID.
Edhe donatorë të tjerë si Britania gjithashtu kanë njoftuar për zvogëlim të donacioneve, në kohën kur shtetet po ballafaqohen me trysni në rritje për t’i rritur shpenzimet në fushën e mbrojtjes.
“Për vendet e goditura nga konflikti, ndryshimet klimatike dhe trazirat ekonomike, zvogëlimet brutale të fondeve nuk nënkuptojnë që nevojat humanitare zhduken” – tha Tom Fletcher, nënsekretar i përgjithshëm për Çështje Humanitare dhe koordinator për Lehtësim Emergjent.
Kombet e Bashkuara do të kërkojnë 45 miliardë dollarë më 2025 për të ndihmuar rreth 185 milionë njerëz që kanë ikur nga konfliktet e që po ballafaqohen me vdekje nga uria në atë që zyrtari i OKB-së e përshkroi si “nivel të pashembullt të vuajtjeve”. Deri më tani, Kombet e Bashkuara kanë pranuar vetëm 5 për qind të kësaj shume.
Paratë e liruara nga Fondi Qendror për Reagim Emergjent do të ndahen për kriza të pafinancuara e të neglizhuara në Afrikë, Azi e Amerikë Latine, thuhet në një deklaratë të OKB-së. Rreth një e treta e mejeteve do të ndahen për Sudanin, ku gati dy vjet luftë civile kanë shkaktuar zhvendosje të madhe të njerëzve e krizë urie, si dhe në Çadin fqinj, i cili ka pranuar më shumë se 1 milion refugjatë sudanezë./Nacionale