OKB-ja thotë se sulmet izraelite ndaj Libanit mund të përbëjnë krime lufte - NACIONALE

OKB-ja thotë se sulmet izraelite ndaj Libanit mund të përbëjnë krime lufte

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Sulmet izraelite ndaj ndërtesave të banimit dhe infrastrukturës civile në Liban mund të përbëjnë krime lufte, sipas zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut.

Vlerësimi vjen kur të paktën 912 njerëz, përfshirë 111 fëmijë, janë vrarë e 2.221 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite ndaj fqinjit verior nga 2 marsi, sipas të dhënave më të reja të Ministrisë së Shëndetësisë në Liban. Më shumë se një milion njerëz – gati 20 për qind e popullsisë – janë zhvendosur, shkruan gazeta “The Guardian”.

Në një konferencë për media të martën në Gjenevë, zëdhënësi i kësaj zyre, Thameen al-Kheetan, tha: “Në shumë raste, sulmet ajrore izraelite kanë shkatërruar ndërtesa të tëra të banimit në mjedise të dendura urbane, me shumë anëtarë të familjes së njëjtë, përfshirë gra e fëmijë, shpesh të vrarë së bashku.”

Al-Kheetan paralajmëroi se “sulme të tilla ngrenë shqetësime serioze sipas së drejtës humanitare ndërkombëtare”.

Ai theksoi se civilë të zhvendosur libanezë që jetonin në tenda përgjatë bregdetit të Bejrutit u vranë nga sulmet izraelite, ndërsa sulme të tjera nga fillimi i marsit kanë lënë të vdekur të paktën 16 punëtorë shëndetësorë.

“E drejta humanitare ndërkombëtare kërkon dallim mes caqeve ushtarake dhe civilëve e objekteve civile dhe këmbëngul në ndërmarrjen e masave të zbatueshme paraprake për t’i mbrojtur civilët. Sulmi i qëllimshëm ndaj civilëve ose objekteve civile përbën krim lufte” – shtoi zëdhënësi.

Al-Kheetan tha se edhe luftëtarët e Hezbollahut kanë vazhduar që të lëshojnë “breshëri raketash pa dallim drejt Izraelit”, ku të paktën 13 njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftës./Nacionale

Lajme të ngjashme