OKB-ja thotë se është detyruar që t'i pakësojë ndihmat për miliona njerëz shkaku i mungesës së fondeve - NACIONALE

OKB-ja thotë se është detyruar që t'i pakësojë ndihmat për miliona njerëz shkaku i mungesës së fondeve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kombet e Bashkuara janë detyruar që t’i pakësojnë ndihmat ushqimore, pagesat dhe asistencën për miliona njerëz në shumë shtete për shkak të një krize të fondeve, e cila e ka shkaktuar gati përgjysmimin e ndihmave, përderisa uria akute po arrin nivele rekorde, tha të premten një zyrtar i lartë i OKB-së.

Carl Skau, nëndrejtor ekzekutiv i Programit Botëror të Ushqimit, tha në një konferencë për gazetarë se të paktën 38 nga 86 shtetet ku vepron ky program tashmë janë ballafaquar me pakësim të ndihmave ose me plane për t’i zvogëluar ato së shpejti, përfshirë Afganistanin, Sirinë, Jemenin dhe Afrikën Perëndimore, raporton agjencia “Associated Press”.

Ai tha se nevoja e Programit Botëror të Ushqimit për t’u dhënë ndihma të gjithëve që kanë nevojë është 20 miliardë dollarë, por se ky institucion është duke synuar që të sigurojë 10 deri në 14 miliardë dollarë, shumë që agjencia e ka marrë gjatë viteve të fundit.

“Ne ende e synojmë këtë, por deri më tani këtë vit e kemi marrë vetëm rreth gjysmën e saj, rreth pesë miliardë dollarë”- tha Skau.

Sipas tij, nevojat humanitare u rritën shumë më 2021 e 2022 për shkak të pandemisë së koronavirusit dhe luftës në Ukrainë e pasojave globale të saj. “Ato nevoja vazhdojnë që të rriten, ata faktorë janë ende aty”- tha zyrtari, duke shtuar: “...por fondet po shterohen, prandaj presim që viti 202 të jetë edhe më i llahtarshëm”.

“Kriza më e madhe e ushqimit dhe e ushqyerjes vazhdon. Këtë vit, 345 milionë njerëz vazhdojnë që të jenë të pasigurt për ushqim në mënyrë akute, ndërsa qindra miliona njerëz janë në rrezik nga përkeqësimi i urisë”- shtoi ai.

Skau tha se konfliktet dhe pasiguria mbeten faktorë kryesorë të urisë akute në botë, bashkë me ndryshimet klimatike, fatkeqësitë natyrore, inflacionin e vazhdueshëm të çmimeve të ushqimit dhe stresin e madh nga borxhet – të gjithë gjatë ngadalësimit të ekonomisë globale.

Programi Botëror i Ushqimit po mundohet që ta bëjë më të llojllojshme bazën e financimit, por zyrtari u bëri thirrje dhuruesve tradicionalë që ta ndihmojnë agjencinë gjatë kësaj kohe të vështirë.

Skau tha se në mars, Programi Botëror i Ushqimit u detyrua që t’i zvogëlonte racionet nga 75 në 50 për qind për komunitetet në Afganistan që ballafaqohen me nivele urgjente të urisë, ndërsa në maj u detyrua që ta pakësonte ushqimin për tetë milionë njerëz ose 66 për qind e njerëzve që u ofron ndihmë.

Lajme të ngjashme