OKB-ja thotë se centrali bërthamor në Ukrainë është para “orës së rëndë” - NACIONALE

OKB-ja thotë se centrali bërthamor në Ukrainë është para “orës së rëndë”

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Situata alarmante në centralin bërthamor të pushtuar nga Rusia në juglindje të Ukrainës e ka arritur “orën e rëndë”, tha shefi i agjencisë për energji atomike në Kombet e Bashkuara, duke bërë thirrje për inspektim të menjëhershëm të centralit nga ekspertët ndërkombëtarë.

Drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Mariano Grossi, paralajmëroi se disa pjesë të centralit bërthamor në Zaporizhia janë prishur për shkak të sulmeve të fundit, duke paraqitur rrezik për rrjedhje të mundshme të rrezatimit, shkruan CNN.

“Ekspertët e IAEA-së besojnë se nuk ka rrezik të menjëhershëm për sigurinë bërthamore, por kjo mund të ndryshojë në çdo moment”, tha Grossi.

“Çfarëdo veprimi ushtarak që e rrezikon sigurinë bërthamore duhet të ndalet menjëherë. Këto veprime ushtarake afër një objekti kaq të madh bërthamor do të mund të çonin në pasoja shumë serioze”, shtoi ai.

Centrali bërthamor në Zaporizhia të Ukrainës është më i madhi në Evropë dhe shtrihet në një sipërfaqe të konsiderueshme në brigjet e Lumit Dnipro, afër qytetit të pushtuar nga forcat ruse, Enerhodar. Centrali e ka vazhduar operimin me kapacitet të pakësuar që nga marrja e kontrollit nga rusët në mars. Punëtorët ukrainas ende ndodhen në central.

Rusia dhe Ukraina deri më tani nuk janë treguar të gatshme që ta pranojnë inspektimin e centralit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe e kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardimin e centralit.

Ambasadori i Rusisë në Kombet e Bashkuara, Vassily Nebenza, të enjten e fajësoi Ukrainën për sulmet ndaj centralit dhe bëri thirrje që këto sulme të ndalen që të parandalohet rrjedhja katastrofale e rrezatimit.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gishtin e drejtoi nga Rusia, për të cilën tha se po e vë tërë Evropën në rrezik.

Agjencia bërthamore e Ukrainës, Energoatom, tha se dhjetë predha ranë afër kompleksit të centralit të enjten, duke e parandaluar ndërrimin ditor të stafit.

“Për sigurinë e punëtorëve bërthamorë, autobusët me personelin e ndërrimit tjetër u kthyen në Enerhodar. Derisa situata të normalizohet plotësisht, punëtorët e ndërrimit të mëparshëm do ta vazhdojnë punën”, tha kjo agjenci.

Sidoqoftë, pavarësisht sulmeve, agjencia ukrainase tha se niveli i rrezatimit në central mbetet normal.

Disa zyrtarë ukrainas e perëndimorë besojnë se Rusia është duke e shfrytëzuar objektin gjigant si bastion për t’i mbrojtur trupat e veta dhe për të organizuar sulme, sepse forcat ruse supozojnë se Ukraina nuk do të kundërpërgjigjet me zjarr për shkak të rrezikut për të shkaktuar krizë./Nacionale

Lajme të ngjashme