OKB: Do të duhen 300 vjet që të arrihet barazia gjinore
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duke folur para Komisionit për Statusin e Grave, ka thënë se përparimi drejt barazisë gjinore “po zhduket para syve tanë”.
Në një diskutim me grupin kyç të OKB-së për të drejtat e grave, para Ditës Ndërkombëtare të Gruas më 8 mars, Guterres ka thënë se sipas vlerësimeve të fundit nga UN Women, barazia gjinore është "300 vjet larg".
Sipas CNN, Guterres ka përmendur shkallët e larta të vdekshmërisë, vajzat që detyrohen të martohen në moshë të hershme dhe vajzat që rrëmbehen apo sulmohen për ndjekjen e shkollës - si dëshmi se shpresa për arritjen e barazisë gjinore "po bëhet gjithnjë e më e largët".
Në fjalimin e tij, Guterres nuk e ka përmendur Iranin, i cili u përjashtua nga komisioni 45 anëtarësh në dhjetor për shkak të protestave pas vdekjes së Mahsa Aminit në paraburgimin e të ashtuquajturës "polici të moralit" të vendit.
"Të drejtat e grave po abuzohen, kërcënohen dhe shkelen në mbarë botën,"- është shprehur Guterres, duke përmendur disa vende në veçanti, përfshirë Afganistanin, ku tha se "gratë dhe vajzat janë fshirë nga jeta publike".
Ndërkohë, kujtojmë se të hënën të rejat afgane u mblodhën jashtë Universitetit të Kabulit për të protestuar kundër ndalimit për arsimimin e grave, për të cilin një raport i OKB-së, thotë se mund të jetë “krim kundër njerëzimit”.

