Oficeri i lartë rus paralajmëron se konflikti në Ukrainë mund të eskalojë në luftë të plotë në Evropë
Një oficer i lartë ushtarak rus ka paralajmëruar se konflikti në Ukrainë mund të eskalojë në një luftë të plotë në Evropë dhe se mundësia që forcat ruse të përfshihen në një konflikt të ri është duke u rritur “në masë domethënëse”.
Gjeneral Kolonel Vladimir Zarudnitsky, drejtor i Akademisë Ushtarake së Shtabit të Përgjithshëm, i bëri këto komente në një artikull të revistës “Mendimi Ushtarak”, publikim i Ministrisë së Mbrojtjes, raportoi të enjten agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA.
“Mundësia për një eksalim të konfliktit në Ukrainë – nga zgjerimi i pjesëmarrësve në “forca prokurë” të përdorura për ballafaqim ushtarak me Rusinë, te një luftë me shkallë të lartë në Evropë – nuk mund të përjashtohet” – citohet të ketë thënë ai, përcjell agjencia “Reuters”.
“Burimi kryesor i rreziqeve ushtarake ndaj shtetit tonë është politika anti-ruse e Shteteve të Bashkuara dhe aleatët e tyre, të cilët po kryejnë një lloj të ri të luftës hibride me qëllim që ta dobësojnë Rusinë në çdo mënyrë të mundshme, ta kufizojnë sovranitetin e saj dhe ta shkatërrojnë integritetin e saj territorial” – citohet të ketë thënë më tej oficeri i lartë rus.
“Mundësia që shteti ynë të tërhiqet qëllimisht në konflikte të reja ushtarake është duke u rritur në masë domethënëse” – shtoi Zarudnitsky.
Komentet e tij vijnë në kohën e përpjekjeve të Perëndimit për ta ndihmuar Ukrainën me më shumë armë dhe financim pas kundërsulmit të dështuar të Kievit verën e kaluar dhe pasi forcat ruse e rifituan nismën në fushën e betejës.
Zarudnitsky mbrojti një numër ndryshimesh në mënyrën se si Rusia i organizon ushtrinë dhe sigurinë e saj, shtoi agjencia RIA, përfshirë theksin më të madh te mbështetja e atyre që ai i quajti shtete miqësore për ta garantuar sigurinë e Rusisë dhe për ta konsoliduar tërë shoqërinë ruse rreth nevojave të saj të mbrojtjes.
Lufta në Ukrainë e ka nxitur krizën më të thellë në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin që nga Kriza Kubane e Raketave më 1962 dhe presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar se Perëndimi rrezikon që të provokojë një luftë bërthamore, nëse dërgon trupa për të luftuar në Ukrainë.