OECD: Evropa do të goditet më së shumti nga ngadalësimi ekonomik global - NACIONALE

OECD: Evropa do të goditet më së shumti nga ngadalësimi ekonomik global

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) ka thënë se ekonomia globale pritet ta shmangë recesionin vitin e ardhshëm ,por kriza më e rëndë e energjisë që nga vitet e shtatëdhjeta do të shkaktojë rënie të konsiderueshme të zhvillimit ekonomik, duke e goditur Evropën më së shumti. Kjo organizatë tha se luftimi i inflacionit duhet të jetë në rend të parë për politikëbërësit.

Organizata ndërkombëtare me seli në Paris parashikoi që rritja ekonomike do të ngadalësohet nga 3,1 për qind, sa është këtë vit, në 2,2 për qind vitin e ardhshëm, para se të shkojë në 2,7 për qind më 2024, raporton agjencia “Reuters”.

“Ne nuk jemi duke parashikuar recesion, por tash për tash jemi duke projektuar një periudhë të dobësimit të theksuar”- tha drejtori i kësaj organizate, Mathias Cormann, në një konferencë për prezantimin e parashikimit më të ri të OECD-së.

Sipas kësaj organizate, ngadalësimi i rritjes ekonomike është duke i goditur vendet në mënyrë të pabarabartë dhe se Evropa është duke pësuar më së keqi në këtë aspekt, pasi lufta e Rusisë në Ukrainë po e godet veprimtarinë e bizneseve dhe po shkakton shtrenjtim të energjisë.

Kjo organizatë parashikoi se ekonomia e euro-zonës, bllok me 19 shtete, do të rritet për 3,3 për qind këtë vit, pastaj kjo rritje do të bjerë në 0,5 për qind më 2023 para se të rimëkëmbet e t’i shtohet rritja në 1,4 për qind më 2024.

OECD-ja parashikoi tkurrje ekonomike për 0,3 për qind vitin e ardhshëm në Gjermani, ekonomia e së cilës është shumë e varur nga eksportet ruse të energjisë. Sidoqoftë, kjo shifër është më e ulët se tkurrja prej 0,7 për qind që ishte parashikuar në shtator.

Gjendje dukshëm më e mirë u parashikua për ekonominë e Francës, e cila është shumë më pak e varur nga nafta dhe gazi rus. OECD-ja tha se ekonomia e këtij shteti pritet të rritet për 0,6 për qind vitin e ardhshëm. Ekonomia e Italisë pritet të rritet për 0,2 për qind.

Jashtë euro-zonës, ekonomia britanike është parashikuar që të tkurret për 0,4 për qind vitin e ardhshëm përderisa po ballafaqohet me rritje të shkallës së interesit e rritje të inflacionit.

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara parashikohet që të mbahet më mirë. Nga 1,8 për qind këtë vit, rritja ekonomike e këtij vendi pritet të bjerë në 0,5 për qind më 2013 para se të rritet për 1,0 për qind më 2024.

Kina është njëra nga vendet e pakta të mëdha që pritet të shënojë rimëkëmbje të rritjes ekonomike që në vitin e ardhshëm. Rritja ekonomike në këtë shtet pritet të shkojë nga 3,3 për qind këtë vit në 4,6 për qind vitin e ardhshëm dhe 4,1 për qind më 2024.

Lajme të ngjashme