OBSh-ja paralajmëron për rreziqe shëndetësore nga “shiu i zi” në Iran
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të martën se “shiu i zi” dhe përbërës toksikë në ajër në Iran pas sulmeve ndaj objekteve të naftës mund të shkaktojnë probleme të frymëmarrjes dhe e mbështeti këshillën e autoriteteve iraniane që njerëzit të qëndrojnë brenda shtëpive e banesave.
Agjencia shëndetësore e OKB-së, e cila ka një zyrë në Iran dhe punon me autoritetet e këtij vendi rreth urgjencave shëndetësore, tha se ka pranuar shumë raporte këtë javë për shi të përzier me naftë. Teherani u kaplua nga tymi i zi të hënën, pasi një rafineri nafte u godit nga sulmet si pjesë e fushatës ushtarake amerikano-izraelite, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Shiu i zi dhe shiu acidik që vjen me të janë vërtet rrezik për popullsinë, kryesisht në aspektin respirator” – tha në një konferencë për shtyp në Gjenevë zëdhënësi i OBSh-së, Christian Lindmeier, duke shtuar se Irani i ka këshilluar njerëzit që të qëndrojnë në mjedise të mbyllura.
Kur u pyet nëse OBSh-ja e mbështet atë këshillë, ai tha: “Duke marrë parasysh se çfarë është në rrezik tash për tash, objektet për ruajtjen e naftës, rafineritë që janë goditur, duke nxitur zjarre, duke sjellë shqetësime serioze për cilësinë e ajrit, ajo është pa dyshim ide e mirë.”
Lindmeier tha se sulmet kanë shkaktuar “lirim masiv në ajër të hidrokarbureve helmuese, oksideve të sulfurit dhe komponimeve të azotit”. Shkencëtarët thonë se thithja ose prekja e tymit ose grimcave mund të shkaktojë dhimbje koke, irritim të lëkurës dhe syve dhe vështirësi në frymëmarrje, ndërsa ekspozimi më afatgjatë ndaj disa komponimeve e rrit rrezikun për disa lloje kanceresh.
Shkencëtarët thanë se shiu i zi është rezultat i një modeli të motit që po vjen në zonë, duke sjellë shi që është përzier me grimcat e tilla në ajër./Nacionale