OBSh-ja kërkon që të lejohen më shumë ndihma mjekësore në Gaza para ofensivës izraelite
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) ka thënë se Izraeli duhet ta lejojë që të grumbullojë më shumë dërgesa mjekësore në Gaza për t’u ballafaquar me situatën “katastrofike” shëndetësore në enklaë, para se forcat e këtij vendi ta marrin nën kontroll Qytetin Gaza.
Izraeli ka thënë se ushtria e tij do ta marrë kontrollin e Qytetit Gaza në një plan të miratuar nga kabineti i sigurisë i kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe të kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar.
“Ne duam që të grumbullojmë dhe të gjithë dëgjojmë se më shumë dërgesa humanitare po lejohen që të hyjnë – epo kjo nuk po ndodh akoma, ose po ndodh në një mënyrë që është me ritëm shumë të ngadalshëm” – tha Rik Peeperkorn, përfaqësues i OBSh-së në territoret palestineze.
Sipas këtij zyrtari, i cili foli në Jerusalem, 52 për qind e ilaçeve janë në rezerva zero, shkruan gazeta "The Guardian".
Peeperkorn tha se OBSh-ja ka qenë në gjendje që të fusë në Gaza më pak dërgesa se që ka dëshiruar “për shkak të procedurave të shumta dhe disa produkteve “prapëseprapë iu mohua hyrja” – temë e negociatave të vazhdueshme me autoritetet izraelite.
Më tej, zyrtari i OBSh-së tha se vetëm 50 për qind e spitaleve dhe 38 për qind e qendrave të kujdesit shëndetësor parësor janë duke funksionuar, madje pjesërisht.
Zënia e shtretërve nga pacientët ka arritur në 240 për qind të kapacitetit në spitalin “Al-Shifa” dhe 300 për qind në spitalin “Al-Ahli” në pjesën veriore të Gazës.
“Situata e përgjithshme shëndetësore mbetet katastrofike. Uria dhe kequshqyerja vazhdojnë që ta godasin Gazën” – shtoi Peeperkorn./Nacionale