OBSH: Ditët më të vështira janë përpara Ukrainës - NACIONALE

OBSH: Ditët më të vështira janë përpara Ukrainës

3 vjet më parë

nga Lirim Krasniqi

Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për Evropën, Dr. Hans Henri Kluge, mbajti një fjalim sot në Kiev në të cilin tha se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, OBSH regjistroi dhe dokumentoi 703 sulme ndaj shëndetit dhe infrastrukturës.

Sulmet e tilla, tha Kluge, "janë një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe rregullave të luftës". Për shkak të sulmeve ndaj infrastrukturës shëndetësore dhe energjetike, qindra spitale dhe objekte të tjera shëndetësore "nuk janë më funksionale për shkak të mungesës së karburantit, ujit dhe energjisë elektrike, të cilat u nevojiten për të plotësuar nevojat e tyre më elementare".

"Maternitetet kanë nevojë për inkubatorë. Shtretërit e kujdesit intensiv kanë nevojë për ventilatorë. E gjithë kjo kërkon energji," tha kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke shtuar se qëllimi i vizitës së tij në Kiev është të përqendrojë vëmendjen e botës te ata.

“Një e katërta e popullsisë është pa energji elektrike”

Kluge tha se 10 milionë njerëz në Ukrainë janë aktualisht pa energji elektrike, ose rreth një e katërta e popullsisë. Është një situatë veçanërisht e rrezikshme tani që temperaturat pritet të zbresin deri në -20 gradë Celsius.

"Moti i ftohtë mund të vrasë," tha ai, duke shtuar se "familjet e dëshpëruara detyrohen t'i drejtohen metodave alternative të ngrohjes", si djegia e qymyrit ose drurit dhe përdorimi i gjeneratorëve me naftë ose ngrohësve elektrike, të cilat sjellin rreziqe shtesë për shëndetin.

Ai tha gjithashtu se pret që dy deri në tre milionë njerëz në Ukrainë do të detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre në kërkim të ngrohtësisë dhe sigurisë, ku me siguri do të përballen me “sfida unike shëndetësore” si Covid-19, pneumoni apo grip.

Në fund të fjalës së tij, Kluge paralajmëroi se sistemi shëndetësor i Ukrainës "po përballet me ditët më të errëta të luftës deri më tani" dhe tha se "zgjidhja më e mirë do të ishte përfundimi i konfliktit". /Nacionale/

Lajme të ngjashme