“Nxehtë” edhe në ShBA: Mungesë mësuesish, zyrtari fyen sindikalistët, ftohet veteranët e ushtrisë - NACIONALE

“Nxehtë” edhe në ShBA: Mungesë mësuesish, zyrtari fyen sindikalistët, ftohet veteranët e ushtrisë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Aq shumë mësues në Florida të Shteteve të Bashkuara e kanë braktisur profesionin e tyre viteve të fundit, saqë ky shtet po i fton veteranët ushtarakë pa përvojë në mësimdhënie që t’i udhëheqin klasat përderisa shkollohen për këtë fushë.

Reuters

Në vende të tjera të ShBA-së, kur mësimi rifilloi në gusht e shtator, distriktet kanë sjellë mësues virtualë në klasa nga shtete të tjera amerikane dhe kanë ofruar bonuse për t’i joshuar mësuesit e larguar.

Ekspertët e arsimit thonë se mungesa e mësuesve, për të cilën kanë paralajmëruar me vite, është përkeqësuar gjatë pandemisë së koronavirusit, kur mësuesit që nuk vdiqën ose që nuk u sëmurën rëndë, u ballafaquan me stres të ri si mësimdhënia nga largësia ose ekspozimi ndaj nxënësve potencialisht të sëmurë.

Për ta plotësuar mungesën e mësuesve, guvernatori i Floridas, Ron DeStantis, e nënshkroi projektligjin “Shtegu për Certifikimin e Veteranëve të Ushtrisë” më 9 qershor për ta shndërruar në ligj, pasi ky legjislacion u miratua pa kundërshtime në të dyja dhomat e kongresit shtetëror. Me këtë ligj u ofrohet veteranëve një certifikatë 5-vjeçare e mësimdhënies dhe u lejon që të punojnë si mësues gjatë kohës që trajnohen për ta marrë diplomën e nivelit baçelor.

Në Florida, 282 veteranë kanë aplikuar për certifikatën e arsimit nga 24 gushti. Sipas Shoqatës Kombëtare të Arsimit, Florida kishte rreth 195.000 punëtorë të arsimit dhe mesatare prej 2.5 milionë nxënësish në shkolla më 2021, shkruan agjencia “Associated Press”.

Kjo masë ka nxitur përkrahje, por edhe kritika të ashpra, gjë tipike në kohën e përçarjes së thellë në Shtetet e Bashkuara për arsimin dhe disa çështje të tjera.

Mësuesit kundër ligjit të ri

Në vend të zbatimit të programeve si “Shtegu për Certifikimin e Veteranëve të Ushtrisë”, sindikata e mësuesve e Shoqatës së Arsimit në Florida ka thënë se shtetet duhet t’i ndërpresin fyerjet ndaj mësuesve dhe miratimin e legjislacionit që i ndëshkon ata që largohen nga qëndrimet konservatore për racën ose çështjen e LGBTS-së.

“Nëse guvernatori mendon se kjo do ta zgjidhë problemin e mungesës së mësuesve, ai është plotësisht i gabuar, sepse askush nuk dëshiron që të vijë në një profesion që po përulet përditë, sidomos nga guvernatori”, tha në gusht kryetari i sindikatës së arsimit, Andrew Spar.

Zyra e guvernatorit DeSantis kërkoi që pyetjet t’i drejtohen Departamentit të Arsimit. Zëdhënësi i këtij departamenti, Alex Lanfranconi, përmes një deklarate tha: “Palaçot e sindikatës edhe një herë nuk po bëjnë asgjë përpos ankimit, shpërndarjes së dezinformatave dhe ofrimit të zero zgjidhjeve për mësuesit që ata i “përfaqësojnë”.

Marlon Greig, mësues në shkollën fillore “Earlington Heights” në Miami, tha se ajo ka një të afërm në ushtrinë amerikane dhe një tjetër në forca ajrore, por nuk do t’ua besonte atyre fëmijët, nëse ata do të ishin në rolin e mësuesve.

“Thjesht, nuk është e drejtë që dikush të vijë në klasë i pakualifikuar, i papërgatitur për të dhënë mësim dhe t’i formësojë mendjet e reja”, tha mësuesi amerikan.

Sidoqoftë, gjeneral brigade Vincent Buggs nga ushtria rezervë e ShBA-së, tha se ka besim që veteranët do të mund të bëheshin menjëherë të vlershëm në klasë./Nacionale

Lajme të ngjashme