Njëri nga librat më të vjetër pritet të shitet për miliona dollarë në ankand - NACIONALE

Njëri nga librat më të vjetër pritet të shitet për miliona dollarë në ankand

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Një libër nga Egjipti, që ishte shkruar në hapat e parë të Krishterimit dhe konsiderohet si ndër më të vjetrit në ekzistencë, do të hidhet në ankand në Londër në qershor.

“Kodeksi Crosby-Schoyen”, i shkruar në gjuhën koptike në papirus në periudhën mes viteve 250 e 350 të Erës Sonë, i prodhuar në njërin nga manastiret e para të krishterimit, thuhet se ka vlerë mes 2,6 e 3,8 milionë dollarëve, sipas shtëpisë së ankandeve “Christie’s”.

104 faqet e librit ishin shkruar për një periudhë 40-vjeçare në një manastir në Egjipt dhe ruhet në xhama të plastifikuar. Kodeksi i përmban Letrën e Petrit dhe Librin e Jonahs, raporton agjencia "Reuters".

Specialisti i shtëpisë së ankandeve “Christie’s”, Eugenio Donadoni, tha se ky libër është ruajtur falë klimës së thatë të Egjiptit, duke shtuar se vetëm pak libra nga shekujt III dhe IV kanë mbijetuar deri në ditët tona.

“Të gjitha gjetjet e rëndësishme të dorëshkrimeve të krishtera që i kishim në shekullin XX dhe në fund të shekullit XIX janë të gjitha të përqendruara në Egjipt për këto arsye të sakta të kushteve klimatike” – tha ai.

Kodeksi ishte zbuluar në Egjipt në vitet e pesëdhjeta të vitit të kaluar dhe ishte blerë nga Universiteti i Misisipit, ku mbeti deri më 1981. Koleksionuesi norvegjez i dorëshkrimeve, Dr. Martin Schoyen, e bleu atë më 1988 dhe tani do ta hedhë në ankand.

Libri do të jetë në dispozicion për t’u parë në shtëpinë e ankandeve “Christie’s” në Nju-Jork nga 2 deri më 9 prill, ndërsa do të hidhet në ankand në Londër më 11 qershor.

Lajme të ngjashme