Një nxënëse e plagosur në kokë në shkollën e Beogradit është në gjendje të rëndë
Një nxënëse e plagosur gjatë sulmit masiv në një shkollë të Beogradit të mërkurën është në gjendje kritike dhe ka plagë në kokë, tha drejtori i spitalit pediatrik në kryeqytetin e Serbisë.
“Vajza që iu nënshtrua një operacioni urgjent dje për shkak të lëndimeve në kokë... mbetet në gjendje kritike dhe nën kujdes intensiv”- tha para gazetarëve Dr. Sinisha Duçiq, ushtrues i detyrës së drejtorit në spitalit “Tirsova”, raporton agjencia “Reuters”.
“Mjekët janë duke bërë gjithçka që është e mundshme për ta shpëtuar jetën e saj, por gjendja e saj e përgjithshme është e rëndë”- shtoi ai.
Përpos vrasjes së tetë nxënësve dhe një roje, sulmuesi plagosi të mërkurën një mësues dhe gjashtë nxënës të tjerë. Ata po trajtohen në spitalin “Tirsova” dhe në Spitalin Universitar.
Mjeku Duçiq tha se dy djem të plagosur, të cilët janë duke u trajtuar në spitalin “Tirsova”, janë në gjendje stabile dhe pritet të lirohen për në shtëpi në ditët e ardhshme.
“Prindërit i kanë vizituar djemtë, një psikolog është përfshirë, ata janë në kontakt me prindërit përmes telefonit”- shtoi mjeku.
Policia serbe tha të mërkurën se sulmuesi përdori dy pistoleta të babait të vet. Roja e shkollës dhe tri vajza u qëlluan në korridor, ndërsa një mësues dhe nxënësit e tjerë u qëlluan gjatë orës së historisë më vonë, njoftuan forcat e sigurisë.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të mërkurën një moratorium për lejet e reja për armëmbajtje me përjashtim të gjuetisë, rishqyrtimin e lejeve ekzistuese, ashpërsimin e mbikëqyrjes së poligoneve të qitjes dhe mënyrën se si qytetarët i mbajnë armët.
Sulmuesi i dyshuar është nën moshën e përgjegjësisë penale në Serbi. Ai është dërguar në një institucion psikiatrik për vlerësim, tha presidenti serb të mërkurën, duke shtuar se prindërit e nxënësit janë arrestuar.

