Një luftanije e ndryshkur e Luftës së Dytë Botërore po i përplas Kinën e ShBA-në - Pse?
Një mosmarrëveshje ndërkombëtare është duke u rritur mes Filipineve, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës për një anije që po ndryshket e që është shndërruar në pikë jetike ushtarake në Detin Jugor të Kinës.
Luftanija e periudhës së Luftës së Dytë Botërore ishte vendosur qëllimisht në një zonë të cekët të ujit në Detin Jugor të Kinës më 1999 nga Filipinet dhe një kontingjent i vogël i trupave vazhdojnë që të qëndrojnë në të për ta mbrojtur pretendimin e këtij shteti në ujërat shumë të kontestuara, raporton gazeta “The Guardian”.
Deti Jugor i Kinës, hapësirë me rëndësi strategjike, është subjekt i pretendimeve kundërthënëse nga Kina dhe disa shtete të Azisë Juglindore dhe konsiderohet si pikë e nxehtë potenciale.
Tensionet janë shtuar gjatë pushtetit të presidentit filipinas, Ferdinand Marcos Jr. Filipinet gjithnjë më shumë po e akuzojnë Kinën për agresion dhe po mbajnë lidhje më të ngushta me Shtetet e Bashkuara, me të cilat kanë një traktat për mbrojtje të përbashkët.
Të shtunën, Kina nxiti deklarata dënuese nga Filipinet, ShBA-ja, Bashkimi Evropian, Franca, Japonia e Australia, pasi roja bregdetare kineze drejtoi një top uji në drejtim të një barke filipinase. Filipinet po mundoheshin që t’u dërgonin ushqim, ujë, karburant dhe furnizime të tjera trupave të vendosura në anijen që nuk lëviz, “BRP Sierra Madre”, në Ishujt Spratly.
Kina i ka përsëritur kërkesat e saj që anija e ndryshkur të largohet, ndërsa ambasada kineze në Manila, kryeqytet i Filipineve, e ka akuzuar Uashingtonin për “nxitje dhe përkrahje të përpjekjeve të Filipineve për ta riparuar dhe përforcuar” anijen e vjetër.
“Do të doja të theksoj edhe që Deti Jugor i Kinës nuk është terren gjahu për shtetet jashtë rajonit që të përzihen në të, të mbjellin grindje e të nxitin konflikte”- thuhet në deklaratën e ambasadës kineze.
Ministria e Jashtme e Kinës i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për kërcënim ndaj Kinës përmes traktatit të tyre të përbashkët me Filipinet.
“ShBA-ja i ka fuqizuar haptazi Filipinet, përderisa shkel mbi sovranitetin e Kinës, për ato lëvizje nuk do të kenë sukses”- tha një zëdhënës i kësaj ministrie.
Shtetet e Bashkuara, edhe pse nuk kanë pretendime në këtë mosmarrëveshje, e cilësojnë Detin Jugor të Kinës si zonë jetike për interesat kombëtare dhe kanë traktat për mbrojtje të përbashkët me Filipinet.
Të martën, sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, e nënvizoi “natyrën e hekurt të aleancës ShBA – Filipine” në një telefonatë me homologun filipinas, Gilberto Teodoro, sekretar i Mbrojtjes Kombëtare.
Zyrtari i lartë amerikan rikonfirmoi se traktati mes dy vendeve – sipas të cilit ShBA-ja do t’i mbronte Filipinet, nëse anijet dhe forcat e saj bëhen cak i një sulmi të armatosur – vlen edhe për anijet dhe forcat e rojës bregdetare në Detin Jugor të Kinës.
Kina pretendon se gati tërë territori i Detit Jugor të Kinës është i saj, përfshirë zonën ku ndodhet anija e vjetër, edhe pse pretendimet e saj ishin cilësuar pa bazë ligjore nga një tribunal ndërkombëtar në Hagë më 2016.
Filipinet e kanë akuzuar shpesh rojën bregdetare kineze për bllokim të misioneve për rifurnizim të trupave në anijen “Sierra Madre”.
