Kina thotë se një luftanije amerikane hyri ilegalisht në Detin e Kinës Jugore - NACIONALE

Kina thotë se një luftanije amerikane hyri ilegalisht në Detin e Kinës Jugore

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ushtria e Kinës tha të enjten se ka vëzhguar dhe ka larguar një luftanije amerikane, e cila ilegalisht kishte hyrë në ujërat përreth Ishujve Paracel në Detin e Kinës Jugore.

Në një deklaratë, ushtria kineze tha se luftanija “USS Milius” u fut në ujërat territoriale të Kinës, duke i minuar paqen dhe stabilitetin në rrugën e ngarkuar ujore, raporton agjencia “Reuters”.

“Forcat do të mbajnë gjendje të lartë gatishmërie tërë kohën dhe do t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’i mbrojtur me vendosmëri sovranitetin kombëtar, sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Detin e Kinës Jugore”- tha Tian Junli, zëdhënës i Komandës Jugore të Kinës.

Forcat detare amerikane e hodhën poshtë deklaratën e ushtrisë kineze, duke thënë se luftanija është duke kryer operacione rutinore në Detin e Kinës Jugore dhe se ajo nuk është dëbuar.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që të fluturojnë, lundrojnë dhe operojnë kudo ku e lejon e drejta ndërkombëtare”- thuhet në një deklaratë të Flotës së 7-të të Forcave Detare të ShBA-së.

Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës në rajon kanë qenë duke u rritur. ShBA-ja ka përkrahur aleanca në rajonet e Azisë Juglindore dhe Paqësorit për t’iu kundërvënë qasjes së rreptë të Kinës në Detin e Kinës Jugore dhe në Ngushticën e Tajvanit, përderisa Pekini po synon që t’i çojë përpara pretendimet e veta territoriale.

Lajme të ngjashme