Një i vdekur e 48 të lënduar nga zjarri izraelit në pikën e ndihmave në Gaza
Të paktën një civil u vra dhe 48 të tjerë u plagosën, kur trupat izraelite hapën zjarr në drejtim të një turme të palestinezëve, pasi grupi i zgjedhur nga Izraeli për të dërguar ushqim në enklavë e humbi kontrollin e qendrës së shpërndarjes, raportuan zyrtarët shëndetësorë.
Dëshmitarët thanë se forcat izraelite filluan të shkrepnin me armë, pasi turma e palestinezëve e kaloi rrethojën të martën përreth qendrës së shpërndarjes së ndihmave, përderisa një helikopter ushtarak izraelit hodhi flakërima dhe të shtëna armësh u dëgjuan në largësi.
Në një video, një turme e madhe e civilëve në panik, përfshirë gra e fëmijë, mund të shihen duke ikur me vrap nga qendra e shpërndarjes së ndihmave, duke e shkelur rrethojën, raporton gazeta “The Guardian”.
Ajith Sunghay, drejtor i zyrës për të drejtat e njeriut për territoret palestineze në OKB, tha se shumica e të plagosurve u lënduan nga zjarri i armëve. Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se të paktën një person u vra.
Izraeli e vendosi bllokadën ndaj të gjitha dërgesave në mars, duke thënë se Hamasi po i sekuestronte mallrat për luftëtarët e vet, akuzë e mohuar nga grupi. Më herët këtë muaj, një vëzhgues global i urisë tha se gjysmë milioni njerëz në Rripin e Gazës ballafaqoheshin me rrezikun e vdekjes nga uria.
Më herët këtë muaj, IPC-ja vlerësoi se gati 71 mijë fëmijë nën moshën 5-vjeçare pritej të ishin “të kequshqyer në mënyrë akute”, ndërsa 14 mijë e 100 raste pritej të ishin të rënda në 11 muajt e ardhshëm.
Të martën, qindra mijëra njerëz ecën në këmbë nëpër vijat ushtarake izraelite për të arritur te qendra e re e shpërndarjes së ndihmave në Rafah, e ndërtuar nga Fondacioni Humanitar i Gazës, që është autorizuar nga Izraeli për t’i marrë përsipër operacionet e shpërndarjes së ushqimit dhe thuhet se nuk ishte i përgatitur. Stafi në një moment u detyrua që t’i braktiste pikat e veta./Nacionale