Një i burgosur në Francë arratiset duke u futur në çantën e rrobave të shokut që u lirua - NACIONALE

Një i burgosur në Francë arratiset duke u futur në çantën e rrobave të shokut që u lirua

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Një burrë është arratisur nga një burg në Francë duke u fshehur në një çantë rrobash që i përkiste shokut të qelisë që po lirohej, pasi i kishte përfunduar dënimi, u tha mediave lokale një zyrtar francez.

Sebastien Cauwel, drejtor i administratës së burgjeve në Francë, i tha të dielën televizionit BFMTV se burri “e shfrytëzoi” lirimin e shokut të qelisë për t’u arratisur nga burgu “Corbas” afër qytetit Lyon në pjesën juglindore të vendit, raporton televizioni CNN.

Megjithatë, zyra e prokurorit në Lyon i tha televizionit amerikan se arratisja e shkurtër e të burgosurit mori fund të hënën në mëngjes, kur ai u arrestua në qytetin Sathonay-Camp, në periferi të Lyonit.

“Burri që u arratis nga qendra e paraburgimit Corbas u arrestua këtë mëngjes rreth orës 6:00, duke dalë nga një bodrum në Sathonay Camp. Askush nuk u lëndua. Bashkëpunëtori i tij nuk ishte me të dhe ende nuk është arrestuar” – tha zyra e prokurorit në një deklaratë.

“I dyshuari tani për tani është në ndalim në akuzat për arratisje si pjesë e një bande të organizuar dhe pjesëmarrje në konspiracion kriminal” – thuhet më tej në deklaratë.

Drejtori i administratës së burgjeve i tha televizionit se zyrtarët e qendrës së ndalimit kishin vërejtur të shtunën në mëngjes se burri ishte arratisur. Ai pranoi se kishte një “grumbullim të gabimeve”, duke theksuar se është hapur një hetim për incidentin.

“Kjo është një ngjarje tepër e rrallë që ne nuk e kemi parë kurrë në këtë administratë dhe e cila qartazi shfaq një varg të tërë të dështimeve serioze” – tha Cauwel, duke shtuar se burgu “Corbas” është i stërmbushur.

I burgosuri që u arratis ishte duke vuajtur disa dënime, tha shërbimi francez i burgjeve. Ai ishte gjithashtu nën hetim për një rast të lidhur me krimin e organizuar, raportoi agjencia e lajmeve AFP, duke cituar një burim të paidentifikuar, i afërt me çështjen./Nacionale

Lajme të ngjashme