"Një epokë e re": Gjermania heq dorë nga energjia bërthamore, mbyll tre centralet e fundit - NACIONALE

"Një epokë e re": Gjermania heq dorë nga energjia bërthamore, mbyll tre centralet e fundit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjermania u ka mbyllur dyert tre centraleve të fundit bërthamore, duke shënuar fundin e epokës bërthamore të vendit, që ka zgjatur prej më shumë se gjashtë dekadash.

Energjia bërthamore ka qenë prej kohësh e diskutueshme në Gjermani, me disa që kanë dashur t’i japin fund duke e parë si të paqëndrueshme, të rrezikshme dhe një shpërqendrim nga përshpejtimi i energjisë së rinovueshme. Por disa të tjerë, mendojnë se mbyllja e centraleve bërthamore është dritëshkurtër. Ata e kanë parë mbylljen si mbyllje të një burimi të besueshëm të energjisë me karbon të ulët, në një kohë kur ka nevojë për shkurtime drastike të ndotjes nga ngrohja e planetit.

Megjithatë, përkundër këtyre debateve raportohet se qeveria gjermane ka qenë e palëkundur në vendimin për mbylljen e tyre.

“Pozicioni i qeverisë gjermane është i qartë: energjia bërthamore nuk është e gjelbër. As nuk është e qëndrueshme”, - ka thënë për CNN Steffi Lemke, ministrja Federale e Gjermanisë për Mjedisin dhe Mbrojtjen e Konsumatorit dhe një anëtare e Partisë së Gjelbër, ndërsa ka shtuar se vendi po hyn në një epokë të re të prodhimit të energjisë.

Mbyllja e tre uzinave – Emsland, Isar 2 dhe Neckarwestheim – përfaqëson kulmin e një plani të vënë në lëvizje më shumë se 20 vjet më parë.

Bëhet e ditur se Gjermania tani planifikon të zëvendësojë afërsisht 6% të energjisë elektrike të prodhuar nga tre centralet bërthamore me burime të rinovueshme, por edhe gaz dhe qymyr.

Më shumë se 30% e energjisë së Gjermanisë vjen nga qymyri, më ndotësi nga lëndët djegëse fosile - dhe qeveria ka marrë vendime të diskutueshme për t'iu drejtuar qymyrit për të ndihmuar në sigurinë e energjisë.

Kujtojmë se në muajin janar, protestues të shumtë përfshirë Greta Thunberg u mblodhën në fshatin gjerman perëndimor të Lützerath në një përpjekje të pasuksesshme për të ndaluar shkatërrimin e tij nga qymyri.

Lajme të ngjashme