Një burrë në Indi e fiton betejën 22-vjeçare në gjykatë për 25 centë
Një burrë në Indi ka fituar një rast në gjykatë kundër pagesës më të shtrenjtë për disa centë për një biletë treni.
Tungnath Chaturvedi, avokat, ishte ngarkuar me 20 rupi (0.25 dollar) më shumë për dy bileta që i kishte blerë në vitin 1999.
Incidenti ndodhi në stacionin e trenit në Mathura, në rajonin verior indian, Uttar Pradesh, shkruan televizioni BBC.
Një gjykatë e konsumatorëve javën e kaluar vendosi në favor të burrit dhe kërkoi nga hekurudhat që t’ia kthenin të hollat atij, përfshirë interesin.
“Kam marrë pjesë në më shumë se 100 seanca në lidhje me këtë rast”, tha indiani 66-vjeçar. “Por s’mund t’u vendosni çmim energjisë dhe kohës që i kam humbur duke e luftuar këtë rast”, shtoi ai.
Gjykatat e klientëve në Indi merren në mënyrë specifike me ankesat e lidhura me shërbimet, por ato nganjëherë ngarkohen shumë me raste dhe proceset mund të zgjasin me vite edhe për problemet e thjeshta.
Burri që jeton në Uttar Pradesh, ishte duke udhëtuar nga Mathura për në Moradabad, kur një shitës biletash e kishte ngarkuar me çmim më të lartë për dy bileta.
Tiketat kushtonin nga 35 rupi, por kur ai ia kishte dhënë shitësit 100 rupi, shitësi ia kishte kthyer vetëm 10 rupi, duke ia marrë 90 rupi për dy bileta në vend të 70 rupive.
Burri i kishte thënë shitësit se e ka ngarkuar me çmim më të lartë, por nuk i ishin dhënë të hollat. Kështu, ai vendosi që të niste rast gjyqësor kundër Hekurudhës Verilindore, seksion i Hekurudhave të Indisë – dhe kundër shitësit në një gjykatë për klientë në Mathura.
Ai tha se rasti zgjati shumë vjet për shkak të ritmit të ngadalshëm të punës në të cilin funksionon sistemi i drejtësisë në Indi.
Pas luftës së gjatë ligjore, gjykata e urdhëroi hekurudhën që t’i dhuronte burrit dëmshpërblim prej 15.000 rupish (rreth 188 dollarë). Gjykata gjithashtu i udhëzoi hekurudhat për t’ia kthyer burrit 20 rupit me interes prej 12 për qind në vit, nga viti 1999 deri më 2022./Nacionale
