Një burrë e mallkoi profetin Muhamed dhe doli incizimi, 13 të vrarë nga përleshjet në Siri
Raportohet se 13 persona u vranë të martën në një qytezë afër kryeqytetit sirian gjatë përleshjeve të shkaktuara gjoja nga një incizim ku një burrë i komunitetit Druze dëgjohet duke e mallkuar profetin Muhamed, gjë që i zemëroi burrat e armatosur sunitë, thanë ekipet e shpëtimit dhe burimet e sigurisë.
Këto luftime e shënojnë episodin më të ri të dhunës sektare vdekjeprurëse në Siri, ku frika e pakicave është shtuar që nga koha kur rebelët e rrëzuan ish-presidentin Bashar al-Assad nga pushteti në dhjetor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Frika u shtua pas vrasjes së qindra pjesëtarëve të komunitetit Alawite në mars në atë që u duk si hakmarrje e qartë ndaj një sulmi prej besnikëve të Assadit.
Përleshjet filluan natën, kur disa persona të armatosur nga qyteza Maliha dhe zona të tjera me popullsi kryesisht sunite u mblodhën në qytezën me popullsi kryesisht Druze, Jaramana, në juglindje të Damaskut, thanë burimet e sigurisë.
Luftimet, të cilat u bënë me armë të vogla e të mesme zjarri, lanë 13 njerëz të vrarë, sipas punëtorëve lokalë të shpëtimit.
Në mesin e të vdekurve ishin dy pjesëtarë të Shërbimit të Përgjithshëm të Sigurisë, forcë sigurie e re, e përbërë kryesisht nga ish-rebelë, sipas zëdhënësit të Ministrisë së Brendshme, Mustafa al-Abdo.
Ky zëdhënës mohoi se burra të armatosur e sulmuan qytezën, por tha se grupe të civilëve, të zemëruar me incizimin me zë, kishin nisur një protestë që u prit me zjarr nga grupet e komunitetit Druze.
Ministria e Brendshme tha në një deklaratë se ishte duke e hetuar prejardhjen e incizimit me zë dhe bëri thirrje për qetësi, duke u kërkuar qytetarëve që të mos lejojnë që emocionet të çojnë në dhunë ose dëmtimit të pronës publike.
Pleqnarët e komunitetit Druze u takuan me forcat e sigurisë në përpjekje për ta parandaluar eskalimin e mëtejmë, tha një burim sirian i sigurisë.
“Ajo që u tha nga disa individë kundër profetit tonë i përfaqëson vetëm ata dhe kundërshtohet nga ne dhe tërë shoqëria jonë” – tha udhëheqësi fetar i komunitetit Druze, Sheikh Yousef Jarbou./Nacionale