Një anije goditet larg në Detin Arab, shqetësim për kapacitetet e rebelëve Houthi - NACIONALE

Një anije goditet larg në Detin Arab, shqetësim për kapacitetet e rebelëve Houthi

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një anije me flamur portugez u sulmua nga një dron në një zonë të largët të Detit Arab, duke u përputhur me një pretendim të rebelëve Houthi” se ata e kishin sulmuar anijen, thanë të martën autoritetet.

Sulmi ndaj anijes “MSC Orion”, që ndodhi rreth 600 kilometra larg bregdetit të Jemenit, duket se ishte sulmi i parë i vërtetuar thellë në det që u pretendua nga rebelët Houthi që nga koha kur ata filluan t’i vinin në shënjestër anijet në nëntor, raporton agjencia “Associated Press”.

Ky sulm lë të kuptohet se rebelët Houthi – ose potencialisht përkrahësi kryesor i tyre, Irani – mund ta kenë aftësinë për të sulmuar në largësinë e Oqeanit Indian, siç kishin kërcënuar më parë rebelët gjatë fushatës së tyre të vazhdueshme për shkak të luftës së Izraelit kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

Sulmi ndodhi të premten e kaluar, sipas Qendrës së Përbashkët të Informacionit Detar, që operon si pjesë e Forcave të Kombinuara Detare, të udhëhequra nga ShBA-ja, në Lindje të Mesme. Pas sulmit, ekuipazhi zbuloi në anije mbetje që dukeshin se ishin të një droni, tha kjo qendër.

Anija “pësoi vetëm dëm të vogël dhe tërë ekuipazhi është i sigurt”, shtoi kjo qendër. Sipas të dhënave satelitore për përcjelljen e anijeve, të analizuara nga agjencia “Associated Press”, anija ishte nisur për në Salalah të Omanit, në zonën e sulmit të shtunën.

Kjo anije është ndërlidhur me kompaninë me bazë në Londër, “Zodiac Maritime”, që është pjesë e Grupit “Zodiac” të miliarderit izraelit, Eyal Ofer.

Gjeneral Brigade Yahya Saree, zëdhënës ushtarak i rebelëve Houthi, e mori përgjegjësinë për sulmin ndaj anijes të martën herët. Ai nuk tregoi pse rebelëve iu deshën disa ditë për ta pranuar përgjegjësinë për sulmin.

Lajme të ngjashme