Një aeroplan kaplohet nga zjarri në Tokio, dyshohet për përplasje me një tjetër
Një aeroplan i kompanisë "Japan Airlines" u kaplua nga zjarri pas aterrimit në pistën e aeroportit "Haneda" në Tokio.Në pamjet e publikuara nga transmetuesi publik, NHK, shihet flaka e madhe në aeroplan.
Kompania tha se të gjithë 379 pasagjerët dhe ekuipazhi i aeroplanit janë evakuuar, sipas agjencisë "Reuters" dhe televizionit NHK.
Këto dy mediume raportojnë se aeroplani i pasagjerëve mund të jetë përplasur me një aeroplan të rojës bregdetare japoneze, raporton televizioni BBC.
Gjashtë persona ndodheshin në një aeroplan të rojës bregdetare japoneze, që mendohet se u përplas me një aeroplan pasagjerësh në pistën e një aeroporti në Tokio.
Vetëm njëri nga këta persona konfirmohet se ka arritur që të largohet, ndërsa nuk dihet gjendja e pesë të tjerëve.
Aeroplani i rojës bregdetare ishte pjesë e përpjekjeve për reagim pas tërmetit dhe po bartte ngarkesë për ta dërguar në aeroportin Niigata, raporton gazetari i gazetës "The Guardian", Gavin Blair.