Një aeroplan aterron gabimisht mbi lumë të ngrirë në Rusi
Një aeroplan pasagjerësh me 34 persona në të ka aterruar mbi një lumë të ngrirë në Lindjen e Largët të Rusisë, si duket për shkak të një gabimi nga piloti.
Askush nuk u lëndua, kur aeroplani i tipit “Antonov An-24” i kompanisë “Polar Airlines” u lëshua të enjten në mëngjes jo larg nga toka, mbi lumin e ngrirë, Kolyma, raporton televizioni BBC.
Sipas hetimit fillestar, fajtor për këtë veprim është gabimi i pilotit, thanë prokurorët. Në aeroplan ndodheshin 30 pasagjerë e katër anëtarë të ekuipazhit.
Fluturimi PI217 u nis nga qyteti Yakutsk, kryeqytet rajonal i republikës Sakha, në lindje të Rusisë, të enjten herët.
Ishte planifikuar që aeroplani të aterronte në Zyryanka, 1.100 kilometra në verilindje, dhe pastaj të fluturonte drejt një qyteze tjetër, Srednekolymsk, para kthimit në Yakutsk.
Në një video të incizuar nga njëri prej pasagjerëve shihej aeroplani pothuajse në qendër të lumit të ngrirë në lindje të Siberisë. Temperatura në Zyryanka në këtë kohë të vitit zbret në rreth -40 gradë.
Prokurorët thanë se aeroplani aterroi në një breg rëre të lumit. Shenjat në borë tregonin se sa vijë e gjatë iu nevojit aeroplanit për t’u ndalur.