Një adoleshent në ShBA merr oferta nga mbi 170 kolegje me më shumë se 9 milionë dollarë bursa: E mbaj Zotin të parin
Një nxënës i shkollës së mesme në Lousiana të Shteteve të Bashkuara ka marrë oferta për pranim nga më shumë se 170 kolegje me mbi 9 milionë dollarë bursa.
Dennis Maliq Barnes, nxënës 16-vjeçar në Shkollën e Mesme Ndërkombëtare të Neë Orleans-it, i tha televizionit CNN se fillimisht nuk synonte që të thyente ndonjë rekord.
“Përderisa aplikova në më shumë shkolla dhe numrat rriteshin, me ndihma financiare e pranim në universitete, u intrigova”- tha Barnes, duke shtuar se vendosi ta ndiqte synimin, kur iu tha se është afër rekordit.
Nxënësi tha se filloi që të aplikonte në kolegje në gushtin e vitit 2022 dhe ndihej krenar me ofertat për pranim e bursa. “Asnjëherë nuk ishte vërtet befasi për mua, porsa e arrita atë numër”- tha ai.
Zyrtarët e arsimit thonë se arritjet e këtij adoleshenti vendosin një rekord të ri botëror dhe se kanë kontaktuar me përfaqësuesit e Librit të Rekordeve Botërore “Guinness” për ta zyrtarizuar këtë sukses, sipas Clark Castle, zëdhënës i shkollës dhe i adoleshentit.
Barnes do të diplomojë dy vjet para kohës së zakonshme në shkollë të mesme dhe nuk ka vendosur se në cilin kolegj do të regjistrohet në vjeshtë.
“Nuk di se ku dua të shkoj”- tha ai, por shtoi se synim i ka shkencat kompjuterike, pastaj studimin e drejtësisë.
Për arritjet e veta, ai u jep merita besimit në Zot, familjes dhe shokëve. “Unë jam një burrë i ri që ka frikë nga Zoti. Unë e kam Zotin të parin”- tha ai.
Barnes ka aplikuar në 200 kolegje dhe planifikon që ta njoftojë vendimin përfundimtar në fillim të majit, para diplomimit në shkollë të mesme më 24 maj.
“Nëse e mbani shkollën, arsimimin prioritet dhe e mbani Zotin në këtë kombinim, atëherë definitivisht do të jeni të suksesshëm pavarësisht se çfarë bëni”- tha ai.