Një 13-vjeçar u vra nga sulmi izraelit me dron në Gaza - NACIONALE

Një 13-vjeçar u vra nga sulmi izraelit me dron në Gaza

3 muaj më parë

nga NACIONALE

Një sulm izraelit me dron la të vrarë të enjten një djalë 13-vjeçar në pjesën veriore të Rripit të Gazës, thanë zyrtarët shëndetësorë, përderisa banorët raportuan një model të përtërirë të paralajmërimeve izraelite, me të cilat njerëzve u bëhet thirrje që të ikin para sulmeve – praktikë që kryesisht ishte hequr pas armëpushimit të tetorit.

Mjekët thanë se 13-vjeçari u vra dhe disa persona të tjerë u plagosën, kur një dron izraelit lëshoi një granatë në qytezën Beit Lahiya, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ushtria izraelite tha se goditi një person për të cilin tha se e kishte kaluar vijën e armëpushimit me Hamasit dhe u ishte afruar ushtarëve. Më tej, ushtria tha se ky person ishte pjesë e një grupi për të cilin tha se mund të kishte qenë duke bërë përpjekje për të vendosur një mjet shpërthyes në atë zonë.

“Pas incidentit, u pranua një raport në lidhje me një të mitur që u lëndua” – tha ushtria, duke shtuar se lëndimi jepte shenjë se i mituri ndodhej me personin që ishte goditur nga ushtarët.

Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje që ta vërtetonte asnjërën narrativë të ngjarjeve.

Armëpushimi i arritur në tetor, me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump, nuk i ka ndalur sulmet izraelite në Gaza. Bisedimet e tërthorta mes Izraelit e Hamasit kanë hasur në ngërç për shkak të mospajtimeve rreth çarmatosjes së grupit palestinez.

Rreth 880 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite që nga koha kur ka hyrë në fuqi armëpushimi, sipas shifrave të paraqitura nga zyrtarët shëndetësorë në Gaza, në të cilat nuk bëhet dallimi mes luftëtarëve dhe civilëve. Sipas ushtrisë izraelite, katër ushtarë të saj janë vrarë gjatë periudhës së njëjtë.

Lajme të ngjashme