Nigeri: Shpërthim në një rafineri ilegale nafte, vdesin 80 persona
Policia dhe zyrtarët qeveritarë kanë njoftuar të dielën, se kanë humbur jetën të paktën 80 persona nga një shpërthim që ka ndodhur në një rafineri ilegale të naftës.
Policia ka konfirmuar që shpërthimi ka ndodhur të premtën vonë.
Ndërkohë, sipas mediave nga ky shpërthim mund të kenë vdekur më shumë se 100 persona, kryesisht të rinjë.
Megjithëse arsyeja e shpërthimit nuk dihet ende, ai mund të ketë ndodhur gjatë procesit të përpunimit të naftës bruto, që përfshin zierjen e saj me anë të zjarrit.
Sipas operatorëve të industrisë, hajdutët e naftës, vandalët dhe operatorët e paligjshëm të rafinimit nxjerrin rreth 200,000 fuçi naftë bruto çdo ditë në Nigeri.
Nafta merret nga një rrjet tubacionesh në pronësi të kompanive të mëdha të naftës dhe përpunohet në produkte në tanke të improvizuara në rafineritë ilegale, të cilat lulëzojnë mes varfërisë që është e përhapur, pavarësisht se vendi është prodhuesi më i madh i naftës në kontinent.
Rafineritë, të shpërndara midis përrenjve, kënetave dhe ujërave të deltës së Nigerisë të pasur me naftë, jo vetëm që janë të prirura për aksidente, por gjithashtu shkaktojnë derdhje dhe ndotje.
Zjarret e tubacioneve janë gjithashtu të zakonshme në Nigeri, pjesërisht për shkak të mirëmbajtjes së dobët, por edhe për shkak se ato vandalizohen nga hajdutë që synojnë të nxjerrin benzinën dhe ta shesin atë në tregun e zi.
Edhe në vitin 1998, një shpërthim tubacioni në qytetin jugor të Jesse vrau më shumë se 1,000 fshatarë, me qeverinë që për atë fatkeqësi fajësoi hajdutët, megjithësebanorët vendas thanë se tubacioni nuk mirëmbahej siç duhet.
Nigeria ka një prodhim të naftës së papërpunuar prej rreth dy milionë fuçi në ditë.