Ngrihet aktakuzë ndaj ish-presidentit Trump për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara
Prokurorët federalë e kanë akuzuar ish-presidentin amerikan, Donald Trump, për mbajtjen e dokumenteve të sigurisë kombëtare dhe pengimin e përpjekjeve të autoriteteve për t’i rikthyer ato, sipas personave të afërt me këtë çështje. Ky është rreziku më i madh ligjor deri më tani për ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë.
Natyra e saktë e aktakuzës 7-pikëshe, e paraqitur në gjykatën federale të qarkut në Miami, është e paqartë, sepse ajo mbetet e mbyllur dhe Departamenti i Drejtësisë nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm, raporton gazeta “The Guardian”.
Trumpi e konfirmoi ngritjen e aktakuzës kundër tij në rrjetin e vet social, “Truth”, të enjten pasdite, pak kohë pasi avokatët e tij pranuan një shkresë elektronike nga prokurorët në zyrën e hetuesit të posaçëm, Jack Smith, ku ishin paraqitur akuzat dhe ku ish-presidentit iu bë thirrje që të paraqitej në organet e drejtësisë në Miami të martën e ardhshme.
Në listën e akuzave të përfshira në shkresë ishin: mbajtja e vullnetshme e të dhënave për mbrojtje kombëtare, konspiracioni për ta penguar drejtësinë, mbajtja e një dokumenti, fshehja e një dokumenti në mënyrë të korruptuar, përfshirja në një skemë për të fshehur dhe në deklarata të rreme, sipas personave të afërt me këtë çështje.
Trumpi reagoi ashpër kundër aktakuzës në një varg shkrimesh në rrjetin e tij social. “Kurrë nuk kisha menduar se do të ishte e mundshme që një gjë e tillë do të mund t’i ndodhte një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara. UNË JAM NJERI I PAFAJSHËM”- shkroi ai.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është anëtar i Partisë Republikane, Kevin McCarthy, i quajti akuzat ndaj Trumpit “ditë e errët”. “Republikanët e Dhomës (së Përfaqësuesve) do ta mbajnë përgjegjës këtë shfrytëzim të pushtetit si armë”- shtoi ai.
