Nga rrëmbimi i Eichmann-it te ‘pejxherat’ shpërthyes – Çfarë dihet për Mossadin? - NACIONALE

Nga rrëmbimi i Eichmann-it te ‘pejxherat’ shpërthyes – Çfarë dihet për Mossadin?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Që nga shpallja e pavarësisë së Izraelit në vitin 1948, Mossadi ka luajtur një rol kyç në operacionet izraelite brenda dhe jashtë vendit.

Edhe në përballjen më të fundit, e cila filloi pasi Izraeli sulmoi Iranin të premten e kaluar, besohet se agjentët e Mossadit kanë qenë në qendër të planifikimit dhe zbatimit të sulmeve.

Sipas raporteve, komandot e Mossadit kanë infiltruar në Iran për vite me radhë për të mbledhur informacion të ndjeshëm, i cili ka shërbyer për të përgatitur goditjet izraelite.

Po ashtu, operativët e Mossadit thuhet se kanë marrë pjesë drejtpërdrejt edhe në sulmet kundër sistemeve të armëve dhe objektivave të tjera strategjike iraniane.

Ky është vetëm zhvillimi më i fundit në një varg operacionesh të guximshme të kryera nga Mossadi përgjatë historisë së Izraelit.

Operacionet e guximshme të Mossadit ndër vite

Agjencia e inteligjencës izraelite është veçanërisht e njohur për kapjen në vitin 1960 të ish-zyrtarit nazist Adolf Eichmann, një prej organizatorëve kryesorë të Holokaustit.

Mossadi u rikthye në qendër të vëmendjes edhe vitin e kaluar, pas shpërthimeve vdekjeprurëse të pager-ëve që shënjestruan dhe eliminuan një numër të madh të liderëve të Hezbollahut në Liban.

Çfarë dihet për Mossadin

Në hebraisht, fjala Mossad do të thotë thjesht “institut”, ndërsa emri i plotë i tij është Instituti për Inteligjencë dhe Operacione Speciale.

Sipas deklaratës së misionit të vet, Mossadi synon:

  • grumbullimin e inteligjencës në mënyrë të fshehtë jashtë vendit;
  • parandalimin e zhvillimit të armëve jokonvencionale nga shtetet armiqësore;
  • prodhimin e inteligjencës strategjike, politike dhe operacionale.

Me pak fjalë, Mossadi është ekuivalenti izraelit i Shërbimit Sekret të Inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar (MI6) apo CIA-s në Shtetet e Bashkuara.

Mossadi – edhe më sekret se agjencitë perëndimore

Ndryshe nga agjencitë perëndimore të inteligjencës, si MI6 apo CIA, Mossadi është mbuluar me një nivel edhe më të lartë fshehtësie dhe shpesh luan një rol shumë më proaktiv ndaj armiqve të Izraelit.

Kjo agjenci është nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Zyrës së Kryeministrit izraelit.

Ajo nuk publikon as adresën e selisë së saj e as ndonjë numër kontakti, çka e bën të vështirë identifikimin e menjëhershëm të objektivit që Irani pretendon së fundmi se ka goditur.

Gjithashtu, nuk është bërë kurrë e ditur zyrtarisht sa persona punojnë në Mossad.

Sipas ligjit izraelit, vetëm identiteti i drejtorit të saj mund të bëhet publik.

Megjithatë, faqja zyrtare e Mossadit përfshin një seksion për karrierë, ku ofrohen formularë aplikimi në hebraisht dhe anglisht./Marrë nga SkyNews/

Lajme të ngjashme