“Nga çfarë ka frikë Berlini?” Ukraina i bën presion Gjermanisë për më shumë pajisje ushtarake - NACIONALE

“Nga çfarë ka frikë Berlini?” Ukraina i bën presion Gjermanisë për më shumë pajisje ushtarake

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Ndërsa Kievi vazhdon kundër-ofensivën në lindje dhe jug kundër forcave ruse, ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka akuzuar qeverinë gjermane se ka injoruar kërkesat e Kievit për tanke Leopard dhe automjete luftarake të këmbësorisë Marder.

Kuleba ka thënë se Berlini i kishte dhënë vetëm “frikë dhe justifikime abstrakte”, si arsye për mos sigurimin e më shumë pajisjeve. Ai ka shkruar në Twitter: “Sinjale zhgënjyese nga Gjermania, ndërsa Ukraina ka nevojë për Leopardë dhe Marders tani, për të çliruar njerëzit dhe për t'i shpëtuar ata nga gjenocidi.

“Asnjë argument i vetëm racional se pse këto armë nuk mund të furnizohen, vetëm frikë dhe justifikime abstrakte. Nga çfarë frikësohet Berlini, e që nuk frikësohet Kievi?”

Kuleba i bëri komentet pas një takimi me homologen e tij gjermane, Annalena Baerbock, që u zhvillua në Kiev gjatë fundjavës.

Sipas The Guardian, politikanja e Partisë së Gjelbër, e cila kishte udhëtuar me tren për vizitën e saj të dytë si ministre e Jashtme në kryeqytetin ukrainas, premtoi mbështetje të mëtejshme nga Gjermania, duke thënë se përparimet e bëra nga ushtria ukrainase në zmbrapsjen e forcave ruse ishin një "argument i mirë" për dërgimin e armëve nga perëndimi.

Por e shtyrë nga Kuleba për mbështetje në mënyrë specifike - dërgimin e tankeve Leopard 2, Baerbock tha se: "Ne tashmë po dorëzojmë armë të rënda".

Besohet se Baerbock dëshiron të rrisë pjesëmarrjen gjermane, por së pari duhet të fitojë mbështetjen e partive të tjera në qeverinë e koalicionit trepalësh.

Të tjerët në partinë e saj, të udhëhequr nga bashkë-udhëheqësi Omid Nouripour, mbështetën thirrjet për një dorëzim të shpejtë në Ukrainë të tankeve Leopard.

"Të gjithë në qeveri e dinë se edhe më shumë do të ishte e mundur," ka thënë Nouripour një gazete gjermane.

Ndërsa, Anton Hofreiter, një anëtar udhëheqës i Partisë së Gjelbër, tha në një intervistë me Mediengruppe Bayern se:

"Herët a vonë, ne nuk do të kemi zgjidhje tjetër veçse të dërgojmë tanke luftarake moderne në Ukrainë."

Thirrjet për dorëzimin e armëve janë mbështetur edhe nga anëtarët e partisë Demokratike të Lirë pro-biznesit dhe aleancës konservatore të opozitës CDU/CSU.

E duket se hezituese, ka mbetur vetëm partia socialdemokrate e kancelarit, Olaf Scholz.

Ai ka thënë në mënyrë të përsëritur se nuk duhet të ketë “deutscher Alleingang” (që do të thotë Gjermania ecën e vetme), e cila ka qenë shtylla kurrizore e politikës së jashtme të Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore, por po interpretohet gjithnjë e më shumë, nga Kievi e ShBA, si potencialisht e rrezikshme dhe që tregon pavendosmëri në rrethanat aktuale.

Hezitimi i Scholz-it shihet nga disa si një kujdes për përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve me Moskën dhe nervozizëm për një krizë energjetike që po përdoret nga grupet në të majtë dhe në të djathtë për të larguar një pjesë të elektoratit nga mbështetja e Ukrainës.

Të hënën, Scholz këmbënguli se armët e dorëzuara nga Gjermania – duke përfshirë armët kundërajrore Gepard, obuset dhe raketat, “po kontribuojnë në faktin se tani është e mundur që në betejën në frontin lindor të ndryshohet rezultati pikërisht në mënyra që po shohim tani”.

Edhe pse raportet fillestare të kundërofensivës ukrainase po rridhnin javën e kaluar, ministrja e mbrojtjes, Christine Lambrecht, përjashtoi mundësinë e rritjes së furnizimeve me armë në Ukrainë, duke thënë se rezervat e Gjermanisë ishin varfëruar dhe se ajo duhej të mbante furnizimet për të siguruar që vendi të mund të mbrohet derisa të mund të përdorej një paketë prej 100 miliardë eurosh e premtuar nga Scholz, për të blerë më shumë pajisje.

Ndërkohë, Amy Gutmann, ambasadorja e ShBA-së në Gjermani, i kërkoi qeverisë gjermane të dielën në mbrëmje që të angazhohej për dërgimin e më shumë armëve në Ukrainë, duke i thënë transmetuesit publik ZDF, se ndërsa ajo mirëpriti dhe admironte sesi gjermanët e kishin mbështetur Ukrainën deri më tani, "pritshmëritë janë edhe më të larta".

E për të mbrojtur kufizimin e vet, Berlini ka theksuar në mënyrë të përsëritur hezitimin e Uashingtonit në dërgimin e llojeve të caktuara të armatimit – nga tanket tek avionët luftarakë.

Lajme të ngjashme