Netanyahu zmbrapset nga pika qendrore e reformës juridike pas vërejtjes nga ShBA-ja - NACIONALE

Netanyahu zmbrapset nga pika qendrore e reformës juridike pas vërejtjes nga ShBA-ja

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se ka larguar një element qendror të planit të shumëpërfolur për t’i marrë Gjykatës Supreme disa kompetenca, edhe pse nuk do të heqë dorë nga ndryshimet për mënyrën se si emërohen gjykatësit.

Në një intervistë për gazetën “The Wall Street Journal”, Netanyahu tha se nuk do të kërkojmë më që kuvendit t’i jepet autoriteteti për t’i rrëzuar vendimet e Gjykatës Supreme, raporton agjencia “Reuters”.

Ai tha se një pjesë tjetër e planit të koalicionit qeveritar nacionalist e religjioz, që do t’i jepte ekzekutivit rol vendimtar për emërimin e gjykatësve, do të ndryshohet, por nuk do të hidhet poshtë.

“Mënyra e zgjedhjes së gjykatësve nuk do të jetë struktura e tanishme, por nuk do të jetë struktura fillestare”- tha kryeministri izraelit, pa dhënë hollësi.

Deklarata e Netanyahut e zemëroi ministrin e tij të së djathtës ekstreme, Itamar Ben-Gvir, e cili e akuzoi kryeministrin për dorëzim para protestuesve. “Ne jemi zgjedhur për të sjellë qeverisje dhe ndryshim, reforma është një shtyllë e këtij premtimi”- shkroi ministri në rrjete sociale.

Qeveria e Netanyahut e publikoi planin për ndryshime në sistemin e drejtësisë në janar, pak kohë pas marrjes së pushtetit, duke thënë se Gjykata Supreme ishte futur gjithnjë më shumë në fusha politike për të cilat nuk kishte autoritet.

Plani nxiti protesta masive. Kritikët e kanë vlerësuar planin si kërcënim ndaj demokracisë. Shtetet e Bashkuara i kishin bërë thirrje Netanyahut që të kërkonte marrëveshje të gjera për reformat në vend të bërjes së ndryshimeve të shpejta e të njëanshme për të cilat kishte vlerësuar se do ta minonin shëndetin e demokracisë së Izraelit.

Udhëheqësit e opozitës izraelite nuk patën ndonjë reagim të menjëhershëm pas komenteve më të reja të Netanyahut, i cili është në gjyq për akuza për korrupsion, të cilat i ka mohuar. Zyra e tij nuk ofroi hollësi shtesë.

Lajme të ngjashme