Netanyahu zbythet nga fjalët e veta për armëpushim, Lapidi e kritikon ashpër në Kuvend
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një debati parlamentar të thirrur nga deputetët opozitarë të hënën, tha se vendi i tij është “i përkushtuar ndaj propozimit [izraelit] për armëpushim, që është mirëpritur nga presidenti Biden”, edhe pse para vetëm një dite kishte përmendur një “marrëveshje të pjesshme”. “Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar” – tha kryeministri izraelit.
Gjatë debatit të ashpër në Kuvend, Netanyahu dhe udhëheqësi opozitar, Yair Lapid, shkëmbyen “thumba”, dhe secili u larguan e u kthyen disa herë në foltore për t’i hedhur poshtë akuzat e tjetrit, ndërsa deputetët e tjerë ndërhynin me zë të lartë nga ulëset e tyre, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Deklarata e Netanyahut rreth lirimit të pengjeve dhe propozimit për armëpushim dukej se binte në kundërshtim me një intervistë që ai kishte dhënë të dielën në mbrëmje, në të cilën kishte thënë se “ishte i përgatitur për të bërë një marrëveshje të pjesshme… që do të kthente disa prej njerëzve [pengjeve] te ne”, por kishte shtuar se izraelitët ishin “të obliguar për t’i vazhduar luftimet pas një pauze me qëllim të plotësimit të qëllimit tonë për shkatërrimin e Hamasit”.
Propozimi izraelit, i paraqitur nga Bideni në maj, besohet se ofron një armëpushim të përkohshëm në fazën e parë të marrëveshjes, që do të zgjatej e do të shndërrohej në “qetësi të qëndrueshme [ndërprerje e operacioneve ushtarake dhe armiqësive në mënyrë të përhershme]” në fazën e dytë.
Sidoqoftë, Netanyahu vazhdimisht ka mohuar se propozimi izraelit e ofron përfundimin e luftës para se Izraeli t’i arrijë dy qëllimet e shpallura – shkatërrimin e Hamasit dhe kthimin e të gjitha pengjeve.
Gjatë debatit parlamentar të hënën, kryeministri izraelit këmbënguli se operacioni ushtarak në Gaza do të vazhdojë “derisa t’i eliminojmë kapacitetet ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit”.
“Derisa t’i kthejmë 120 pengjet tona, të vdekura e të gjalla, derisa të mund të garantojmë që Gaza nuk është më kërcënim ndaj Izraelit dhe derisa banorët e jugut dhe të veriut të mund të kthehen në mënyrë të sigurt në shtëpitë e tyre” – shtoi ai.
Duke iu përgjigjur komenteve të Netanyahut të hënën, Departamenti i Shtetit i ShBA-së la të kuptohej se kryeministri izraelit kishte bërë gabim në të folur, duke theksuar se zyra e tij më vonë lëshoi një deklaratë me të cilën e fajësoi Hamasin që nuk është pajtuar për marrëveshjen e propozuar.
“Mendoj se të gjithë ne që flasim publikisht, nganjëherë bëjmë gabime... dhe kur bëjmë, kemi një detyrim për të dalë e për të qartësuar, dhe neve na vjen mirë që ai [Netanyahu] e bëri këtë” – tha zëdhënësi Matthew Miller.
Duke dalë në foltore pas Netanyahut, opozitari Lapid e kritikoi ashpër kryeministrin: “Z. kryeministër, gjëja mahnitëse është që ju ende nuk po e kuptoni. Nuk e keni kapur ende. Nuk do të ketë trashëgimi. Nuk do të ketë muze me emrin tënd, nuk do të ketë shesh, nuk do të ketë fontanë me emrin Benjamin Netanyahu. Do të jetë vetëm një gjë – 7 Tetori.”
Duke i përmendur dështimet qeveritare para sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, Lapidi i tha Netanyahut: “Gjithçka që ti parashikove, ndodhi e kundërta. Ti the se Hamasi ishte frenuar dhe se nuk do të sulmonte. Unë e di që ti dëshiron që ne të harrojmë, por nuk kemi harruar.”
“Ti nuk ke trashëgimi përpos këtij shkatërrimi. Gjithçka që do të mbetet nga ti janë dy rreshta në libra të historisë, ku shkruhet: Nën pushtetin e tij, populli hebre e pësoi masakrën më të tmerrshme që nga Holokausti dhe ai refuzoi ta merrte përgjegjësinë derisa u largua. Kjo. Kjo është e tëra që do të shkruhet” – e vazhdoi kritikën opozitari Lapid, duke iu drejtuar Netanyahut./Nacionale