Netanyahu i hapur për armëpushim të pjesshëm, por zotohet për vazhdimin e luftës - NACIONALE

Netanyahu i hapur për armëpushim të pjesshëm, por zotohet për vazhdimin e luftës

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të dielën se vendi i tij është i përgatitur për t’i pauzuar luftimet në Gaza për një marrëveshje të pjesshme në këmbim të kthimit të një numri të pengjeve që po mbahen nga Hamasi, por këmbënguli se lufta nuk do të përfundojë pa u shkatërruar ky grup.

Netanyahu gjithashtu tha se faza e luftimeve intensive në Rripin e Gazës po qetësohej, përderisa Izraeli gjithnjë më shumë po përgatitet për një shpërthim të mundshëm dhune në kufirin verior me Libanin për shkak të luftimeve me Hezbollahun.

Kjo ishte intervista e parë e Netanyahut për një medium izraelit që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Kur u pyet nëse ishte i përgatitur për të arritur një marrëveshje me Hamasin pas kryerjes së fazës së luftimeve me intensitet të lartë në konflikt, që do të përbënte zotim për përfundimin e luftës, kryeministri izraelit tha: “Jo. Unë nuk jam i përgatitur për ta përfunduar luftën dhe për ta lënë Hamasin aty. Unë jam i përgatitur për të bërë një marrëveshje të pjesshme, ky nuk është sekret, që do të kthente disa prej njerëzve [pengjeve] te ne.”

Sidoqoftë, ai shtoi: “Por ne jemi të detyruar që t’i vazhdojmë luftimet pas një pauze me qëllim që ta plotësojmë qëllimin tonë për shkatërrimin e Hamasit. Unë nuk jam i përgatitur për t’u dorëzuar në këtë.”

Burimet e përfshira në rundin e fundit të bisedimeve për lirimin e pengjeve i kritikuan komentet e tij, duke i thënë gazetës “Haaretz” se “Netanyahu qartësoi sot se ai nuk është i interesuar për lirimin e të gjitha pengjeve – kërkesë që ai vetë po ia bën Hamasit – dhe nuk është i përgatitur për t’ia ofruar Hamasit të mirat që grupi po i kërkon”.

“Në një situatë të tillë, [udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Yahya] Sinwari nuk ka motiv për të avancuar një marrëveshje” – citohet të ketë thënë njëri nga burimet.

Një zyrtar izraelit i cituar nga uebfaqja e lajmeve “Walla” pati kritika të ngjashme, duke thënë se “komentet e Netanyahut këtë mbrëmje iu shkaktuan dëm të pamasë gjasave për arritjen e një marrëveshjeje”.

Lajme të ngjashme